Ky SUV korean kombinon pjesën e përparme të Jeep-it me pjesën e pasme të Range Rover-it
KG Mobility, e njohur më parë si SsangYong, ka publikuar pamjet e para të gjeneratës së re të SUV-it të saj kryesor, Rexton, i cili pritet të dalë në treg në vitin 2027.
Modeli i ri, i quajtur KGM Rexton PHEV, do të pajiset për herë të parë me sistem hibrid me karikim nga priza.
Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te motori, pasi SUV-i pritet të braktisë shasinë tradicionale dhe të përdorë platformën T2X të kompanisë kineze Chery.
Nga pamjet e publikuara, pjesa e përparme të kujton modelet e Jeep-it, falë grilës me pesë hapje vertikale dhe fenerëve të hollë LED.
Ndërkohë, pjesa e pasme ka ngjashmëri të dukshme me Range Rover-in, veçanërisht për shkak të dritave vertikale dhe formës së bagazhit.
Prodhimi pilot ka nisur në tetor, ndërsa KGM pritet të publikojë më shumë detaje në dhjetor.
Rexton i ri do të debutojë në tregun e Koresë së Jugut në janar të vitit 2027, por nuk pritet të ofrohet në SHBA. /Telegrafi/
