Peci: 4.5 milionë euro investime për sportin në Mitrovicë gjatë gjashtë muajve të fundit
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë gjashtë muajve të fundit janë iniciuar investime në vlerë prej 4.5 milionë eurosh për zhvillimin e infrastrukturës sportive në këtë komunë.
Përmes një postimi në Facebook, Peci ka njoftuar se dy fusha futbolli, në vlerë prej 2.1 milionë eurosh, tashmë janë në fazën e shpalljes publike.
Ai ka bërë të ditur se investimet përfshijnë edhe ndërtimin e tri fushave të vogla sportive në Zhabar, Tunel të Parë dhe Bare, me vlerë rreth 500 mijë euro.
Po ashtu, sipas Pecit, parashihet ndërtimi i pesë fushave të tenisit dhe dy fushave të padelit, me investim prej rreth 700 mijë eurosh.
Kryetari i Mitrovicës ka njoftuar se deri në fund të vitit pritet të shpallet edhe projekti për renovimin e OMNI Sportit, në vlerë prej rreth 1.2 milionë eurosh.
Peci ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe ministrin e Sportit, Blerim Gashani, për mbështetjen e këtyre projekteve.
“Mitrovica në fokus për zhvillim si asnjëherë më parë”, ka shkruar Peci.
Sipas shifrave të paraqitura nga kryetari, investimet synojnë zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në Mitrovicë. / Telegrafi /
