TË FUNDIT

PDK-ja dhe Aleanca e ftojnë “deputetin Kurti” t’i formojë institucionet e reja

Edhe të enjten dyert e objektit të ekzekutivit u bllokuan nga deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, në shenje proteste për moskonsituimin e Kuvendit. Tash e dy javë ata po kërkojnë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të mundësojë formimin e institucioneve të reja
Për të 14-n ditë radhazi, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar protestën para dyerve të objektit të Qeverisë së Kosovës, duke i bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për zhbllokim të institucioneve.

Bashkë me ta tash ishin edhe disa asamblistë të kësaj partie nga disa komuna si dhe deputetët e Aleancës.

Deputetët opozitarë kanë thënë se Kosova nuk ka më kohë për të humbur, ndërsa e kanë akuzuar Kurtin se po shmanget nga përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi nga zyrtarët policorë që t’u lejohet hyrja në ndërtesë, por u pengua nga ta.

Ajo përsëriti kërkesën që Kurti të shkojë në Kuvend që ta mundësojë konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë.

“Nuk po kërkoj unë takim me kryeministrin, sepse ai s’është kryeministër, ai është deputet. Ne po kërkojmë që ai ta lirojë këtë zyre, të vijë në kuvend, ta konstituojë kuvendin dhe t’i themelojë institucionet. Nuk na ka marrë malli ta shohim, por ai vendin e ka atje. Sido që të jetë ne nuk do ndalemi, do gjejmë edhe rrugë tjera demokratike”, ka thënë Çitaku.

E lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar duke i kërkuar Policisë së Kosovës që t’i nënshtrohet Kushtetutës.

“Neni 11, pika 1, është shumë i qartë: ‘Kartela e identitetit e lëshuar për deputet garanton hyrje të lirë në të gjitha organet shtetërore dhe të administratës publike. Ndërsa pika 2 përcakton se organet e administratës publike janë të obliguara të sigurojnë ndihmë për deputetin në përmbushjen e mandatit të tij. Policia e Kosovës është institucion i Republikës së Kosovës dhe duhet t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e jo urdhrave politikë, nga kushdo qofshin ata”, ka shkruar Musliu.
Ndërsa deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, tha se Kosova ka humbur shumë me mosformimin e institucioneve.

“Ne e dimë që është brenda, ne e pamë mbrëmë që tha se ne i kemi votat për konsitutimin e Kuvendit, atëherë i bëjmë thirrje edhe një herë të vijë ta bëjë konsituimin dhe mandej ta bëjë përzgjedhjen e presidentit. Nuk kemi kohë, Kosova ka humbur shumë kohë, që dy vjet jemi pa institucione kështu që është momenti i duhur që të vijë në kuvend dhe të krijojë institucionet”, ka deklaruar Bytyqi.

Ndërkaq, asamblisti i PDK-së nga Komuna e Shtimes, demokrat Mujota, tha

se institucionet e Kosovës janë ndërtuar përmes sakrificës së qytetarëve dhe nuk duhet të bllokohen.

“Nuk bëhet hajgare me institucionet e vendit që i kemi ndërtuar më shumë gjak, më shumë mund edhe më shumë sakrificë. Albin, nuk kemi gjak për më shkelë, as nuk kemi Republikë për të humbur. Duhet ta dish ti edhe komplet soji yt”, është shprehur Mujota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *