Pas zbulimit të kockave, Kurti ka një thirrje për SHBA-në, BE-në dhe Britaninë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se gjatë gërmimeve në varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut u zbuluan kocka.
Ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë trysninë ndaj Serbisë për hapjen e arkivave ushtarake dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Postimi i plotë:
Bashkë me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, kryesuesin e porsaemëruar të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, dhe udhëheqësin e njësisë së këtij Komisioni, Kushtrim Gara, pamë nga afër gërmimet në varrezën masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet të jenë fshehur trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë.
Ndërsa gjatë kohës sa ne qëndruam aty nga gërmimet dhe ekshumimi u zbuluan kocka. Është dhimbje, pikëllim e mundim të shohësh se si 27 vjet pas luftës, e vërteta të cilën Serbia u përpoq ta fshihte e zhdukte, përveçse ta mohonte, po bërtet dhe po del në pah.
Me qëllim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve tanë nga lufta e fundit, është jetike që faktorët ndërkombëtarë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, të shtojnë trysninë ndaj fqinjit verior për zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit me Dhunë, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel. Hapja e menjëhershme e arkivave, sikur ajo e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë, dhe të cilën shteti serb e ka klasifikuar në vitin 2014 për tri dekada, do të përshpejtonte dhe lehtësonte procesin, sikurse edhe do të mund t’i jepte fund ankthit të qindra famijeve, të cilat ende presin që, së paku, t’u japin një lamtumirë dinjitoze më të dashurve të tyre.
Arrestimi i fundit nga Serbia i shtetasve të saj nën akuzat për spiunim, e të cilët kanë dëshmuar tek institucionet ndërkombëtare për krimet e luftës në Kosovë, është dëshmi se trysnia ndërkombëtare është e domosodoshme nëse vërtetë duan që të zbardhet e vërteta dhe të arrihet drejtësia. Këto veprime dëshmojnë se ky shtet jo që nuk është i interesuar për të vërtetën, drejtësinë e paqen, por përkundrazi e ndalon dhe burgos secilin që mendon në atë drejtim.
