TË FUNDIT

Pas takimeve me Kurtin e Vuçiqin, Kallas rikthen në fokus dialogun Kosovë-Serbi, analistët flasin për hapat e ardhshëm

Pas takimeve të ndara të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Nju-Jork, dialogu Kosovë-Serbi dhe procesi i normalizimit janë rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Kallas përcolli mesazhin se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, duhet të zbatohen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese”, tha ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se BE-ja do të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësuesit të paanshëm, por se ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Prishtinë dhe Beograd.

Krasniqi: Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit parashikon detyrime për të dyja palët dhe konfirmon se marrëveshjet e mëparshme të dialogut mbeten të vlefshme

ImageKolë KrasniqiFoto galeri
Profesori Kolë Krasniqi në një përgjigje dhënë për “Bota sot”, tha se kërkesa e BE-së është që dialogu Kosovë-Serbi të kalojë nga deklaratat në zbatimin konkret të marrëveshjeve.

Sipas tij, përgjegjësitë janë të dyanshme: Serbia të zbatojë angazhimet e saj, ndërsa Kosova detyrimet ndaj komunitetit serb në përputhje me Kushtetutën.

“Mesazhi i Kaja Kallas duhet kuptuar si kërkesë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mos mbetet formal dhe të mos përfundojë vetëm me deklarata politike, por të sjellë zbatimin konkret të marrëveshjeve. BE-ja po e lidh përparimin në normalizimin e marrëdhënieve me rrugën evropiane të të dyja vendeve. Kjo lidhje është parashikuar edhe në Aneksin e Zbatimit, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.

Kërkesa për vullnet politik u drejtohet të dyja palëve, por përgjegjësia e secilës duhet vlerësuar sipas detyrimeve që ka marrë. Serbia duhet të ndalë veprimet që pengojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të zbatojë angazhimet e tjera të marrëveshjes. Kosova, nga ana e saj, duhet t’i përmbushë detyrimet që lidhen me komunitetin serb përmes institucioneve të veta dhe në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit parashikon detyrime për të dyja palët dhe konfirmon se marrëveshjet e mëparshme të dialogut mbeten të vlefshme”, nënvizoi ai.

Profesori shtoi se, takimet e Kallas mund t’i japin shtysë dialogut, por rezultatet varen nga zbatimi konkret i marrëveshjeve dhe vlerësimi i paanshëm i detyrimeve të të dyja palëve.

“Takimet e ndara të Kaja Kallas me kryeministrin Kurti dhe presidentin e ardhshem serb mund t’i japin një shtysë të re dialogut. Megjithatë, ndikimi i tyre do të varet nga hapat që pasojnë: përcaktimi i një plani të qartë për zbatimin e marrëveshjeve, verifikimi i përmbushjes së detyrimeve dhe vlerësimi i paanshëm nga BE-ja i veprimeve të secilës palë.

Për Kosovën, është me rëndësi të marrë pjesë në mënyrë aktive në dialog dhe të kërkojë zbatimin e plotë e të ndërsjellë të marrëveshjeve. Përparimi konkret do të ndikonte pozitivisht në sigurinë e vendit, në marrëdhëniet me partnerët evropianë dhe në rrugën drejt integrimit në BE. Nëse të dyja palët nuk ndërmarrin hapa të verifikueshëm, takimet e imponuara rrezikojnë të mbeten pa rezultate të qëndrueshme” – u shpreh ai.

Nimani: Mesazhi i Brukselit për rikthimin e dialogut duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë politik

ImageArtan NimaniFoto galeri
Lidhur me këtë çështje analisti Artan Nimani, deklaroi se takimet e Kallas me Kurtin dhe Vuçiqin mund të hapin një moment të ri për dialogun, por nuk garantojnë rezultate. Ai thekson se Kosova duhet të merret institucionalisht edhe me pasojat e aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

“Mesazhi i Brukselit për rikthimin e dialogut duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë politik. BE-ja po kërkon që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë vullnet politik për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe që procesi i normalizimit të lidhet më drejtpërdrejt me rrugën e tyre drejt BE-së. Në këtë kuptim, takimet e Kaja Kallas me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiqin mund të krijojnë një moment të ri diplomatik, por nuk garantojnë vetvetiu ndonjë përparim konkret.

Për Kosovën, megjithatë, ekziston një çështje edhe më urgjente. Pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Gjykatën Speciale, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me motive politikr e jo ligjore, prioriteti i Qeverisë, Kuvendit dhe i të gjithë spektrit politik duhet të jetë trajtimi institucional dhe juridik i pasojave të këtij aktgjykimi. Gjykata njoftoi se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u shpallën përgjegjës për disa vepra të krimeve të luftës dhe morën dënime të ndryshme me burgim”, tha ai për “Bota sot”.

Ai thekson se Kosova duhet të forcojë koordinimin politik dhe institucional për pasojat e aktgjykimit dhe të krijojë një qëndrim të përbashkët para çdo dinamike të re në dialogun me Serbinë.

“Në këtë fazë, mendoj se Kosova ka nevojë për një koordinim të brendshëm politik dhe institucional për të analizuar aktgjykimin, për të mbështetur proceset e mëtejshme juridike dhe për të vlerësuar pasojat e tij politike e shtetërore. Kjo nuk nënkupton ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës, por një përgjegjësi institucionale për të mbrojtur interesin shtetëror dhe për të garantuar që Kosova të mos përballet e përçarë me zhvillimet që mund të pasojnë.

Për këtë arsye, nëse në këtë moment hapet një dinamikë e re e dialogut me Serbinë, ajo duhet të trajtohet me shumë kujdes. Një Kosovë e përçarë dhe e paqartë për orientimin e saj të brendshëm hyn në çdo proces negociues me dobësi të panevojshme. Prandaj, urgjenca e parë duhet të jetë forcimi i unitetit institucional dhe politik, informimi i qytetarëve dhe përcaktimi i një qëndrimi të përbashkët për pasojat e aktgjykimit”.

Në fund, Nimani bën thirrje që Kurti, Qeveria dhe Kuvendi duhet të krijojnë një konsensus të gjerë politik e institucional para çdo dinamike të re në dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Kurti, Qeveria dhe Kuvendi duhet të merren urgjentisht me këtë situatë dhe me orientimin e politikës së brendshme, duke krijuar një konsensus sa më të gjerë shoqëror e politik. Kjo është, në këndvështrimin tim, një urgjencë kombëtare.

Dialogu me Serbinë nuk mund të injorohet, por as nuk mund të zhvillohet sikur në Kosovë nuk ka ndodhur një zhvillim me peshë të jashtëzakonshme politike dhe juridike. Para çdo dinamike të re në dialog, Kosova duhet ta qartësojë pozicionin e saj të brendshëm, ta forcojë unitetin dhe të hyjë në çdo proces të ardhshëm me institucione të koordinuara dhe me një qëndrim të qartë shtetëror” – përfundoi analisti Artan Nimani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *