TË FUNDIT

Pas falimentimit të një banke, shkarkohet dhe arrestohet presidenti i Paraguait

Presidenti i Paraguait, Santiago Pena, është shkarkuar nga detyra dhe është vendosur në arrest shtëpiak pas kolapsit të bankës digjitale Ueno, e cila shkaktoi një krizë të rëndë financiare dhe politike në vend.

Senati i Paraguait votoi për shkarkimin e tij me 44 vota pro nga 45 senatorë të pranishëm. Peña u shpall përgjegjës për keqmenaxhim të detyrës, ndërsa pas shkarkimit prokuroria urdhëroi arrestimin e tij nën dyshimet për shkelje të besimit, trafikim të ndikimit dhe keqpërdorim të fondeve.

Sipas akuzave të ligjvënësve, Pena kishte konflikt interesi për shkak të lidhjeve të mëparshme afariste me kompaninë që zotëronte bankën Ueno. Ai dyshohet gjithashtu se ka ndikuar në drejtimin e fondeve publike drejt bankës dhe se ka lejuar trajtim të privilegjuar nga autoritetet rregullatore.

Pena i ka mohuar akuzat. Ai kishte ofruar dorëheqjen një ditë para shkarkimit, por ligjvënësit vendosën të vazhdonin procedurën e shkarkimit për t'i hequr imunitetin që do të gëzonte si ish-president, shkruan ap .

Kriza shpërtheu pas falimentimit të bankës digjitale Ueno, e cila kishte rreth tre milionë klientë, afërsisht 60 për qind të popullsisë së rritur të Paraguait. Pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore dhe ngrirjes së llogarive, miliona qytetarë mbetën përkohësisht pa qasje në kursimet e tyre dhe në pagesat e pensioneve. Kjo nxiti protesta të shumta, veçanërisht në kryeqytetin Asuncion.

Pas shkarkimit të Penas, zëvendëspresidenti Pedro Alliana bëri betimin si president i ri i vendit dhe do ta ushtrojë këtë detyrë deri në vitin 2028. Ai premtoi se qytetarët e prekur nga kriza financiare do të kompensohen plotësisht.

Ndërkohë, hetimet për skandalin bankar po vazhdojnë, ndërsa në mesin e personave nën hetim janë edhe ish-drejtues të Bankës Qendrore dhe zyrtarë të bankës Ueno. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *