POLITIKATË FUNDIT

Parlamenti miratoi hartën e re territoriale, Shqipëria shkurtohet në 46 bashki

Pas një seance maratonë, të shoqëruar me debate dhe tensione në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, Reforma Territoriale u miratua me 85 vota pro dhe 34 kundër, pa asnjë abstenim.

Në seancën plenare, e cila vijoi deri pas mesnatës, mazhoranca votoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi, duke i hapur rrugë riorganizimit të ndarjes administrativo-territoriale të vendit.

Reforma parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke e çuar numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 61 në 46.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimet e propozuara, duke argumentuar se reforma nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe cenon autonominë vendore. Sipas tyre, ndarja e re territoriale duhet të synojë rritjen e numrit të bashkive në 100, në vend të reduktimit të tyre. Pavarësisht kundërshtimeve dhe tensioneve të krijuara gjatë seancës, mazhoranca siguroi votat e nevojshme për miratimin e projektligjit.

Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca plenare miratoi gjithashtu gjashtë projektligje dhe një projektvendim.

Gjatë punimeve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paraqiti një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës. Kërkesa parashikonte shtyrjen për seancën e ardhshme të shqyrtimit të dy projektligjeve: atij për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, të miratuar në Luksemburg më 13 maj 2025, dhe atij për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe zhvillimin e kontrolleve të përbashkëta.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit me 85 vota pro të Reformës Administrativo-Territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive, pavarësisht kundërshtive nga qytetarët që preken, të cilët dolën edhe në protestë.

seanca parlamentare 8 tetor tensione reforma territoriale kuvend (28)

Në një reagim në rrjete sociale, kryeministri shkruan se përtej debateve të brendshme dhe spekulimesh të jashtme, votimi i reformës në Parlament, i dha “Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”.

Rama deklaron votimi u tregoi po ashtu “të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me PS”.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese. Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”, ka shkruar Rama.

Reforma Territoriale u miratua në orët e para të ditës së sotme pas një debati maratonë. Me 85 vota pro, socialistët i hapën rrugën hartës së re të Shqipërisë me 46 bashki.

I pranishëm në seancë ishte edhe vetë Rama, ndërsa votë pro dha edhe deputeti Erion Braçe, i cili kundërshtoi ashpër projektligjin. Më herët ndryshim qëndrimi pati shprehur edhe socialisti tjetër, Vullnet Sinaj, i cili bashkë me Braçen kishin kundërshtuar draftin në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS.

Varianti i mazhorancës synon të krijojë njësi vendore më të mëdha dhe financiarisht më të qëndrueshme, me reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, por raporti përfundimtar i Komisionit Parlamentar evidenton se bashkimi territorial nuk mjafton për të garantuar shërbime më të mira. Reforma kërkon ndryshime të thella në shpërndarjen e kompetencave, financimin e pushtetit vendor dhe organizimin rajonal. Ndërkohë, opozita propozoi një model të kundërt, me mbi 92 bashki, duke argumentuar se pushteti vendor duhet të jetë më afër qytetarëve.

Dymbëdhjetë vjet pas reformës së vitit 2014, që reduktoi numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki, Shqipëria po shkon drejt një konsolidimi të mëtejshëm territorial.

Sipas reformws se re 15 bashki do të humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore, duke iu bashkuar bashkive më të mëdha fqinje. Reforma mbështetet në synimin për të ulur kostot administrative, për të përqendruar burimet financiare dhe për të rritur kapacitetet e bashkive për të ofruar shërbime publike.

Megjithatë, raporti përfundimtar prej 357 faqesh i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale tregon se problemet e pushtetit vendor janë më të gjera sesa madhësia e bashkive.

Pas miratimit të sotshëm Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosit me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën.

Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Në qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.

Qëllimi është krijimi i njësive më të mëdha, të afta për të menaxhuar një territor dhe një bazë më të gjerë ekonomike. Bashkitë që shkrihen nuk do të kenë më drejtim politik dhe buxhet të pavarur, por do të administrohen nga strukturat e bashkive përkatëse.

Një nga problemet kryesore që evidenton raporti lidhet me varësinë e bashkive nga financimet e qeverisë qendrore.

Me refrormën e re propozohet rishikimi i formulës së financimit, duke përfshirë tregues si relievi, shpërndarja e fshatrave, gjatësia e rrugëve, mosha e popullsisë, niveli i varfërisë dhe kapaciteti fiskal. Rritet pesha së transfertave të pakushtëzuara në raport me financimet e kushtëzuara, për t’u dhënë bashkive më shumë autonomi në përcaktimin e prioriteteve të shpenzimeve.

Një tjetër propozim është që një pjesë e tatimit mbi të ardhurat personale t’u rikthehet bashkive sipas vendbanimit të tatimpaguesve. Po kështu, rekomandohet që një pjesë më e qartë e rentës minerare dhe të ardhurave nga turizmi të përfitohet nga territoret ku krijohen këto të ardhura.

Reforma kërkon edhe funksionalizimin e plotë të taksës së pasurisë dhe përdorimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë kryesisht për investime, jo për paga dhe shpenzime të zakonshme.

Këto masa synojnë të forcojnë autonominë financiare, por mbeten rekomandime që kërkojnë ndërhyrje në legjislacionin fiskal dhe atë të financave vendore.

Ndërsa bashkimi i bashkive synon kursimin e shpenzimeve administrative, raporti pranon se zbatimi i reformës do të shoqërohet me kosto të përkohshme. Ato lidhen me riorganizimin e personelit, trajnimin e administratës, integrimin e sistemeve digjitale, transferimin e aseteve, harmonizimin e kontratave dhe detyrimeve financiare.

Për përballimin e këtyre kostove rekomandohet krijimi i një Fondi Kombëtar të Tranzicionit, me financim shumëvjeçar. Raporti i mazhorancws identifikon gjithashtu rrezikun e mbivendosjes së përgjegjësive, vonesave në vendimmarrje, pasigurisë për punonjësit dhe vështirësive financiare të njësive që përfshihen në proces.

Për këtë arsye propozohet një zbatim gradual, me përgatitjen ligjore dhe institucionale gjatë viteve 2026-2027, transferimin e kompetencave, aseteve dhe personelit në vitet 2027-2028, konsolidimin gjatë viteve 2029-2030 dhe vlerësimin e rezultateve deri në vitin 2035.

Ky kalendar tregon se ndryshimi i hartës administrative është vetëm faza fillestare e një procesi shumë më të gjatë riorganizimi institucional.

Zvogëlimi i bashkive nuk garanton automatikisht shërbime më të mira

Edhe vetë raporti parlamentar pranon se bashkimet territoriale duhet të justifikohen nga përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare dhe funksionale, pa përkeqësuar në mënyrë të papranueshme aksesin e qytetarëve dhe përfaqësimin e komuniteteve.

Ky është edhe shqetësimi kryesor i ekspertëve të pavarur të pyetur nga Monitor.

Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike, paralajmëron se reforma rrezikon të ndikohet nga interesat politike dhe elektorale, ndërkohë që debati duhet të përqendrohet te modeli i qeverisjes vendore.

Urbanisti Gent Kaprata argumenton se problemi nuk qëndron vetëm te kufijtë administrativë, por te funksionet, kompetencat dhe burimet që i jepen pushtetit vendor. Sipas tij, numri i bashkive duhet të dalë si rezultat i një analize të këtyre elementeve dhe jo të jetë pikënisja e reformës.

Një shqetësim tjetër lidhet me zonat rurale, ku bashkimi me qendra më të mëdha mund të rrisë distancën e qytetarëve nga vendimmarrja. Në mungesë të një mekanizmi që garanton ruajtjen dhe përmirësimin e shërbimeve, konsolidimi administrativ mund të mos sjellë përfitimet e pritshme për komunitetet që po shpopullohen.

Varianti i opozitës thellim i decentralizimit

Ndryshe nga mazhoranca, Partia Demokratike propozoi një rishikim të hartës që synon shtimin e numrit të bashkive në mbi 92 njësi, me alternativa që mund të çojnë edhe në mbi 100 bashki.

Sipas bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, platforma mbështetet në katër kritere kryesore: demografinë, potencialin ekonomik dhe fiskal, distancën nga shërbimet dhe identitetin territorial e historik.

Opozita argumenton se reforma e vitit 2014 e largoi pushtetin vendor nga shumë komunitete rurale dhe malore, duke dobësuar përfaqësimin dhe aksesin në shërbime. Një nga alternativat parashikon krijimin e bashkive të reja në zona ku distanca nga qendra administrative është mbi 15-20 kilometra ose kërkon rreth 30 minuta udhëtim, duke marrë parasysh edhe numrin e banorëve dhe mundësitë ekonomike. PD propozon gjithashtu një organizim me bashki më të vogla dhe 6-8 rajone funksionale, ose ruajtjen e 12 qarqeve me kompetenca të qarta për planifikimin territorial, emergjencat dhe projektet ndërbashkiake.

Megjithatë, krijimi i më shumë bashkive do të kërkonte financim të qëndrueshëm dhe riorganizim të administratës, për të shmangur shtimin e kostove dhe fragmentimin e shërbimeve.

Në aspektin financiar, PD propozoi rritjen e transfertës së pakushtëzuar nga rreth 1% e PBB-së në të paktën 2%, me një objektiv afatgjatë deri në 4%.

Sipas Boçit, rritja e financimit duhet të shoqërohet me ndryshimin e formulës së shpërndarjes, në mënyrë që bashkitë e vogla dhe zonat rurale të mos mbeten të disavantazhuara për shkak të popullsisë së ulët.

Propozimi mbështetet në financimin bazë për çdo bashki, përfshirjen e kostove të territorit dhe relievit, si dhe krijimin e një mekanizmi barazimi për njësitë me kapacitet të dobët fiskal.

Kjo qasje ka pika të përbashkëta me rekomandimet financiare të raportit parlamentar, veçanërisht për nevojën e një formule që pasqyron koston reale të shërbimeve.

Dallimi kryesor mbetet mënyra se si duhet të organizohet territori: mazhoranca synon më pak bashki, me kapacitete më të përqendruara, ndërsa opozita kërkon më shumë njësi vendore dhe shpërndarje më të gjerë të financimeve.

Në të dy variantet, sfida mbetet sigurimi i burimeve të mjaftueshme financiare dhe kompetencave reale për pushtetin vendor. Pa këto ndryshime, rishikimi i hartës administrative mund të mos mjaftojë për të përmirësuar shërbimet dhe për të frenuar braktisjen e zonave rurale. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *