“Paradoksi Grenell”: Sa më shumë sulmon Kurtin, aq më shumë e forcon?
Deklaratat e Richard Grenellit për zhvillimet politike në Kosovë vazhdojnë të shkaktojnë reagime, ndërsa qëndrimi i tij i fundit në mbështetje të gjashtë deputetëve të LDK-së ka hapur sërish debat mbi efektin që ndërhyrjet e tij prodhojnë në opinionin publik shqiptar.
Botuesi i gazetës “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, ka ngritur pikërisht këtë dilemë, duke e cilësuar si “Paradoksi Grenell”faktin se kritikat e tij ndaj Albin Kurtit mund të prodhojnë efekt të kundërt dhe ta forcojnë politikisht atë.
Postimi i plotë:
Paradoksi Grenell
Richard Grenell perceptohet gjerësisht nga opinioni shqiptar si një zë që favorizon interesat e Serbisë — nga presioni i tij mbi Kurtin për tarifat në 2020, te dekorata që mori nga Vuçiqi në 2023, e deri te mbështetja që sapo i dha gjashtë deputetëve të LDK-së që po bllokojnë krijimin e institucioneve.
Por ja paradoksi: pikërisht sepse kështu perceptohet, sa herë del hapur kundër Kurtit, opinioni publik e lexon jo si kritikë të thjeshtë, por si ndërhyrje e huaj në favor të Beogradit — dhe e kthen atë kundër vetes.
Rezultati? Sa më shumë sulmon Grenell, aq më shumë e forcon Kurtin.
A nuk e sheh këtë Grenell, apo i intereson më shumë çfarë mendon Beogradi për të sesa çfarë ndodh realisht në Kosovë?
