Nën ndikimin e alkoolit, tetovari voziste në kahun e kundërt në rrugën Gostivar–Tetovë
Një 33-vjeçar nga fshati Dobrosht është arrestuar pasi drejtonte veturën në gjendje të dehur dhe në kahun e kundërt në rrugën Gostivar–Tetovë. Në pranga kanë përfunduar edhe dy bashkudhëtarët e tij, për shkak të sjelljes agresive ndaj policisë.
Më 28 tetor 2026, policia ka pranuar një denoncim se një veturë e markës “Škoda”, me targa të Tetovës, po lëvizte në kahun e kundërt në rrugën Gostivar–Tetovë.
Pas ndërhyrjes së policisë, vetura është ndaluar në pikëpagesën rrugore në Tetovë. Gjatë kontrollit, është konstatuar se shoferi B.O. (33), nga fshati Dobrosht, ishte nën ndikimin e alkoolit, me 2,06 promilë alkool në gjak.
Për këtë arsye, ai është privuar nga liria.
Policia ka arrestuar edhe dy bashkudhëtarët e tij, A.J. (27), nga fshati Nerasht, dhe N.A. (38), nga fshati Dobrosht, pasi dyshohet se janë sjellë në mënyrë agresive dhe të vrazhdë ndaj zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Të tre personat janë mbajtur në stacionin policor. Sipas njoftimit, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të pasojnë parashtresat përkatëse ligjore.
