Pacolli kritikon Ramën për Gollakun: “Nuk është pronë e tij për ta planifikuar si t’i teket”
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka kritikuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me projektin për Gollakun, duke e akuzuar atë për mungesë të planifikimit dhe transparencës.
Pacolli ka thënë se Gollaku nuk është pronë e kryetarit të Prishtinës dhe se zhvillimi i kësaj zone duhet të bëhet përmes një plani të mirëfilltë dhe në konsultim me institucionet përgjegjëse.
“Gollaku nuk është pronë e Përparim Ramës për ta planifikuar si t’i teket!”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka akuzuar Ramën se po tenton ta paraqesë projektin për Gollakun përmes, siç është shprehur, “shumë propagandë, shumë fotografi, shumë premtime dhe hiç punë”.
Pacolli ka ngritur pikëpyetje edhe për Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës, duke pretenduar se për pesë vjet nuk është përfunduar dhe se tash Rama është duke u marrë me Gollakun.
“Përparim ku është plani? Kush e ka hartuar? Mbi çfarë baze? Me kë është konsultuar? Ku janë institucionet përgjegjëse? Ku janë komunat e tjera nëse preken territoret e tyre?”, ka pyetur ajo.
Sipas Pacollit, Gollaku ka potencial të madh natyror dhe zhvillimi i tij duhet të bazohet në një plan serioz, duke marrë parasysh tokën, pyjet dhe ujërat e kësaj zone.
Ajo ka shprehur gjithashtu dyshime se projektet e prezantuara nga Rama mund të përfundojnë në përfitim të bizneseve private.
Duke iu referuar menaxhimit të pronës publike në Prishtinë, Pacolli ka pretenduar se ekziston mundësia që edhe në Gollak të ndiqet një qasje e ngjashme.
Në fund, ajo e ka kritikuar ashpër Ramën, duke e cilësuar si “kryetarin më dështak dhe më manipulues që ka pasur Prishtina ndonjëherë”. /Telegrafi/
