POLITIKATË FUNDIT

OVL-UÇK kërkon hetim nga Prokuroria: Mospajtimet politike nuk justifikojnë kërcënimet me eliminim

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj etiketimeve nga figura të ndryshme publike, në të cilën Elmi Reqica, Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj dhe Hysni Gucati janë cilësuar si “kapot e krimit dhe korrupsionit”, ndërsa është bërë thirrje për eliminimin e tyre nga skena politike.

Në reagimin e publikuar, OVL-UÇK e ka cilësuar të papranueshme një gjuhë të tillë, duke theksuar se etiketimet dhe thirrjet për eliminim nuk mund të konsiderohen mendim i lirë.

Organizata ka vlerësuar se drejtësia dhe paqja shoqërore nuk mund të ndërtohen përmes gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe linçimit publik.

Për këtë arsye, OVL-UÇK i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe organeve kompetente që ta trajtojnë me seriozitet deklaratën, të vlerësojnë përmbajtjen dhe rrethanat e saj, si dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore.

“Mospajtimet politike nuk mund të justifikojnë gjuhën e eliminimit, kërcënimet apo nxitjen e dhunës ndaj askujt”, thuhet në reagim.

Në fund, OVL-UÇK ka theksuar se liria e shprehjes nuk nënkupton liri për të kërcënuar dhe se fjala publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi publike dhe ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *