POLITIKATË FUNDIT

“Opozitë, pse kaq shumë heshtje?” – Mekuli reagon pas zbulimit të arsenalit në veri të Kosovës

Publicisti Gëzim Mekuli ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku autoritetet kanë njoftuar për zbulimin e një arsenali me armë, municion dhe pajisje ushtarake.

Në një shkrim në Facebook, Mekuli ka lidhur zbulimin e armatimit me gjetjen e eshtrave të viktimave shqiptare dhe ka kritikuar ashpër opozitën kosovare për, siç e konsideron ai, mungesën e një reagimi të unifikuar për çështjet e sigurisë dhe sovranitetit.

Ai ka theksuar se në veri të Kosovës janë gjetur eshtra, fishekë, armë dhe pajisje ushtarake, ndërsa ka përmendur edhe 23 shqiptarët e vrarë, duke argumentuar se këto raste nuk duhet të trajtohen vetëm si çështje për debat politik.

Postim i plotë:

Veriu me eshtëra shqiptarësh; veriu me municion e armatim të Beogradit; opozita (përsëri) BLLOKON Kosovën…

Në veri të Kosovës po gjenden eshtna, fishekë, armë dhe pajisje ushtarake të ushtrisë së Serbisë. Janë 23 shqiptarë të pushkatuar vetëm pse janë shqiptarë, e jo pse janë anëtarë të ndonjë partie, feje a organizate.

23 jetëra, të vjedhura nga Serbia e Vuçiqit, nuk janë shifra për debat televiziv. Janë varreza shqiptarësh; janë njerëz. Është historia e Kosovës shqiptare.

Dhe pikërisht sot, kur institucionet e Kosovës zbulojnë një arsenal armësh të Beogradit në veri, një pjesë e madhe e opozitës nuk po gjen as forcë politike, as guxim intelektual, as etik e as moral për të thënë një gjë të thjeshtë: siguria dhe sovraniteti i Kosovës duhet të jenë mbi inatet partiake dhe personale.

Opozitë, pse kaq shumë heshtje kur krejt Kosova po gjëmon e po rënkon?

Pse çdo veprim i Kurtit kundër strukturave teroriste serbe në veri sulmohet menjëherë, ndërsa kur gjenden armë të lidhura me Serbinë, kritika e juaj zbehet?

Dhe pyetja më e rëndë: kush deshi ta ndajë Kosovën e lame n’gjak, kush e sponzoroi idenë e ndarjes dhe pse opozita e ka kaq të vështirë ta pranojë falimentimin moral, etik e politik.

Opozita nuk ka pse ta dojë Kurtin, krejt në rregull. Por duhet ta dojë Kosovën më shumë se sa e urren Kurtin.

Nëse nuk e kupton sot, kur armët të Serbisë gjenden pranë varrezave masive, atëherë problemi nuk është më vetëm politik.

Është mungesë përgjegjësie ndaj shtetit. E shqiptarët e duan shtetin, Kosovën, Shqipërinë.

Sot, tani, menjëherë na duhet uniteti; po presin miliona shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *