POLITIKATË FUNDIT

Opozita kritikon Qeverinë për krizën energjetike, kërkohet përgjigje nga ZRRE-ja për licencën e EFT-së të Vuk Hamoviqit

Përfaqësues të opozitës kanë reaguar lidhur me situatën energjetike në Kosovë, duke kritikuar masat e Qeverisë për përballimin e krizës dhe duke ngritur pikëpyetje për vendimet që pritet të marrë Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka drejtuar një pyetje publike ZRRE-së lidhur me mundësinë e rilicencimit të kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin serb Vuk Hamoviq.

Bajrami ka rikujtuar se më 23 tetor 2026, në rendin e ditës së mbledhjes së Bordit të ZRRE-së ishte përfshirë edhe vazhdimi i licencës së EFT-së, por vendimmarrja për këtë çështje ishte shtyrë.

Ajo ka theksuar se më 16 nëntor Qeveria mori vendim për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, prandaj kërkon nga ZRRE-ja të sqarojë nëse rilicencimi i EFT-së është ende në agjendë.

“ZRRE duhet të na përgjigjet publikisht: A e ka ende në rend dite rilicencimin e EFT-së apo e ka hequr nga rendi i ditës?”, ka shkruar Bajrami.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka kritikuar masat emergjente të Qeverisë për furnizimin me energji elektrike, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e tyre në kapacitetin e përgjithshëm energjetik.

Sipas saj, blloku B1 i Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit, ka kapacitet neto prej 264 megavatësh, ndërsa kapaciteti neto i hidrocentralit të Ujmanit është 35 megavatë.

Duke u bazuar në këto shifra, Ymeri ka thënë se kapaciteti i Ujmanit është 7.5 herë më i vogël sesa ai i bllokut B1.

“Praktikisht, masat qeveritare për nga kapaciteti janë pa efekt”, ka shkruar ajo.

Në anën tjetër, edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar lidhur me krizën energjetike, duke e cilësuar atë si dëshmi të mungesës së punës së Qeverisë.

Ramadani ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimeve, mungesën e investimeve dhe problemet në sektorë të ndryshëm, duke përmendur arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe largimin e qytetarëve nga vendi.

Sipas tij, situata me energjinë elektrike është një tjetër dëshmi e mungesës së planifikimit dhe investimeve për zhvillimin e vendit.

“Kriza e rrymës është dëshmia më e qartë e mospunës së Qeverisë”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka kritikuar gjithashtu, nepotizmin në institucione dhe mungesën e një plani për investime dhe zhvillim.

Reagimet e tre përfaqësuesve vijnë në kohën kur furnizimi me energji elektrike dhe masat e ndërmarra nga Qeveria janë bërë temë diskutimi, ndërsa çështja e licencimit të kompanisë EFT mbetet një nga temat e ngritura nga opozita. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *