TË FUNDIT

“Nuk ka ku shkon më keq”, Rexhep Shahu analizon protestat dhe krizën politike

Publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet politike dhe protestat e zhvilluara në Tiranë, duke shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si është konceptuar dhe zhvilluar protesta.

Shahu thotë se protesta nuk ka arritur të prodhojë një alternativë të re politike.

“Protesta në Tiranë nuk po e pjell dot një parti të re komuniste socialiste që të trashëgojë pushtetin e komunistëve të Enverit e pasuesve.

Mbarsu e dështo kështu po shkon kjo protestë. Bën me pjellë e shtyj. I janë referuar për model protestës në Serbi por jo në Francë, Greqi a Rumani. Kanë arritë të frymëzojnë qytetarë por kanë maskuar qëllimin final për pushtet. Njerëzit duan ndryshim, duan të ikë ky pushtet por nuk duan pushtet të ri komunist të projektuar nga Rama e komunistët.

Që të thithin më shumë pjesëmarrës dalin kundër Ramës e kundër Berishës. Rama në burg Berisha në burg…”, ka thënë ai.

ImageRexhep ShahuFoto galeri
Më tej, Shahu ka argumentuar se, pavarësisht retorikës së protestave, një pjesë e mesazheve të tyre, janë të përqendruara ndaj Berishës dhe Partisë Demokratike.

“Në fakt parullat janë kundër Berishës megjithëse ka 13 vjet Rama në pushtet e Berisha në shtëpi, në burg e izolim. Por janë kundër Berishës ai duket kockë e fortë që të mbetet në fyt, janë veç kundër Berishës me çelë rrugën e pushtetit pas Ramës. Janë për një shtëpi të re komuniste socialiste me djem më të rij se Rama.

Nuk janë thjeshtë kundër Berishës por kundër PD kundër të djathtës. Nuk ka të djathtë tjetër Shqipëria veç PD. Gjithë armata e të majtëve edhe e atyre që shërbyen në pushtetin e PD dhe nxirrnin gjuhën duke përgojuar malokët që po drejtonin Shqipërinë, ndërkohë që ulnin kurrizin për t’u bërë mushkë për pushtetarët malokë, sot urrejnë Berishën me gojë e me shkrim se u vjen turp nga vetja e djeshme”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Shahu është ndalur edhe te roli i opozitës dhe te mënyra se si është zhvilluar protesta, duke e lidhur këtë me një përpjekje për të krijuar një alternativë politike jashtë votës.

“Berisha me hatër të Zotit e për inat të enveristëve mund të qeverisë pak por nuk është ky halli i protestëbërësve, nuk është Berisha është PD. Nuk duhet lejuar të vijë PD në pushtet, duhet zëvendësuar kjo e majtë e degjeneruar me një të majtë më shik, më mashtruese, më serioze në dukje e retorikë me jo kaq skandale.

Ndaj gjithë protesta që fitoi mbështetje e simpati në fillim, që u shndërrua në manifestim me lule, arriti një qëllim, vrau protestën serioze, vrau reagimin serioz të shqiptarëve.

Nuk ka protestë pa ditë çfarë do bëjmë, ku do shkojmë, çfarë synojmë, kë do rrëzojmë, kush na prin, kë do ndjekim, kush frymëzon.

Nuk ka protestë me kapë lugët e me iu sulë përsheshit, me hy me forcë në organet qeverisëse që pjell sheshi.

Kështu protesta vrau protestën në Shqipëri dhe kërkoi pushtet pa vota me revolucion gajasmë.

Nuk mobilizojnë dot protestë që shqetëson qeverinë veglat e qeverisë, me leje të qeverisë që i kurojnë imazhin qeverisë.

PD dhe reagimi qytetar nuk zëvendësohet nga shëtitje gazmore nëpër Tiranë”, ka vlerësuar ai.

Në vijim të prononcimit, Shahu ka folur edhe për problemet sociale dhe demografike të Shqipërisë, duke vënë theksin te emigrimi dhe largimi i profesionistëve.

“Vendi ka probleme serioze. Kjo qeveri ka pakësuar popullsinë. Në 10 vjetet e fundit mbi 760 mijë shqiptarë janë legalizuar në vendet e Europës pa ditë sa jetojnë në Amerikë, Angli e vende jashtë Europe. Janë larguar universitarë, specialistë dhe kanë ardhë këtu shpërndarës picash nga Azia.

Këto muaj protestash në Tiranë u arrit të vritet protesta e vërtetë. Vrasja e protestës së vërtetë kjo është arritja e protestës në Tiranë.

Opozita mendoj se duhet të zgjohet, u ka borxh zgjimin qytetarëve. Shqipëria nuk është veç me socialistë rilindës, as veç me k*rva e k*pila pushteti që vjedhin edhe varre, që e kanë vjedhë atdheun sa asnjë armik, as veç me konkubina që i paguan pushteti për k*rvërime e spektakle të ndyra.

Skandalet që pasojnë njëri tjetrin, skandalet që pjellin skandale do të duhej ta ngrinin vendin në këmbë por qeveria me protestëbërës të tillë në Tiranë e ka ngordhë nervin e reagimit qytetar. Nuk ka ku shkon më keq thonë qytetarët, e keqja ka prekë fundin”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *