Nuk dua të fitoj duke humbur veten
Pash diku një shkrim ku thoshte që këtë vit paska pasur më pak studentë si rezultat i emigrimeve të të rinjve. U jap të drejtë. Ndër ato studentë që do të migroj jashtë këtij vendi jam dhe unë.
Ngaqë s’jam një nepo kid, s’vrapoj pas partive politike për t’u punësuar, nuk dua dikush pas gjithë këtyre viteve studimi që arrita me mundimin tim pa ndihmën e askujt, nesër të jetë ai që do më punësojë e unë të vrapoj pas tyre për të marrë vendim pune.
Ngaqë më ngjall neveri kur shoh se si punësohen disa nga koleget që njeh krejt universiteti se si arrijnë “suksesin” në studime dhe arrijnë të punësohen para teje ngaqë janë thjesht NEPO KIDS. Thjeshtë e qartë dhe me një mendje racionale, pa dredhira e mashtrime, dua ta punoj profesionin tim me nder, pa u ndotur nga fjalët e njerëzve sepse kjo vret shumë.
Njeriu s’ikën prej këtij vendi nga mungesa e luksit ose të hollave etj. Ikën nga padrejtësitë, nga të qenurit gjithnjë më poshtë se ata që kanë pushtet, e të luftosh me ta të merr gjysmën e jetës që s’i dihet se deri kur e ke.
Ikën nga arsimi dhe nga mësueset e tashmë diplomuar, por pa qasje adekuate në arsimimin e fëmijëve. E ti një ditë fëmijën tënd ta lësh në dorë të tyre?
Edhe në Evropë nuk të presin me lule në dorë të thonë. Pajtohem, por të paktën ke një rend, ke një drejtësi, ke ku ta praktikosh dijen tënde, gjithkush mban vendin e vet.
Jam e revoltuar gjithnjë e më shumë dhe kjo revoltë rritet dhe s’ka të ndalur. Ne mund të bëjmë ndryshimin nëse jo për veten, për fëmijët tanë.
Është e lehtë fare të jetosh këtu kur nuk e ke problem të punësohesh përmes dikujt. Dhe nëse asnjëherë në jetë s’ke bërë dhe ky shtet i poshtër të bën të gjunjëzohesh nga pazgjidhja që ke, ke tradhtuar veten tënde dhe krejt punën që të ka kushtuar me vite.
Njeriu vlen më shumë sesa një punësim. Kemi një fytyrë dhe duke u munduar ta ruajmë të njëjtën vjen në një pikë ku ti s’ke ç’të bësh dhe të ikën mendja, po “hë se do bëj siç bëjnë të tjerët”.
Këtu është kufiri i asaj që i frikësohem. Nuk dua, preferoj të lë gjithçka këtu dhe të jem unë Edita që jam tash, të mos shkel mbi gjithë ato parime që më krijuan atë që jam sot.
Studimet në vend që të të japin forcë mua më kanë lodhur. Jo nga mësimet, nga padrejtësitë. Nga llojet e ndryshme të manipulimeve që bëhen dhe ti s’je në vetëdije sepse s’ke shkelur kurrë në ato dyer.
Ndaj nuk u them mos shkoni, shkoni ku të ndiheni të fortë, ku jeni vetja juaj pa ndihmën e askujt. Shkoni ku ndoshta nuk do t’ju duan, por s’ua marrin të drejtën.
Jetën po ta mendosh është e shkurtër, s’ia vlen dot të ikësh, por ngaqë nuk e dimë se sa kemi me frymu në këtë dhé, duhet me mendu ma gjatë se sa ke fuqi t’i mbijetosh shkeljeve që veç ata që janë këtu kanë me ndje e kanë me kuptu.
Shkoni madje aty ku mjekun ose çfarëdo profesionisti e respektojnë shumë. Ngaqë këtu kam pa që profesorët me dije të përsosura nënçmohen nga pacientët, me fjalët “po ai doktor s’po dijka, s’më dha terminin, unë e kam të familjes hyjë pa termin.”
Rendi shoqëror i dështuar ty të bën njeri të pa respektueshëm, doktor të pa shkolluar, të bën injorant sepse s’ia ke plotësu dëshirat e veta.
Ndërkohë që ka dhe pacientë që s’kanë lidhje farefisnore me mjekun dhe presin me orë të tëra para derës për kontroll mjekësor.
Po mirë pra se “s’mundësh të pëlqehesh nga gjithkush.” Por këtu gjithkush është i tillë, ngaqë duke lexu prej chatgpt e ka diagnostiku veten dhe ka ardh me konfirmu “diagnozën” tek ti.
Dhe nuk i marr për bazë ato që janë të moshuara, ato që janë të gjeneratës që me ato mundësi arritën aty ku janë, them për këto gjeneratat e reja që ulin të tjerët për të ngritur veten.
