TË FUNDIT

Ndihma e inteligjencës artificiale në matjen e volumit të trurit tek pacientët me sklerozë multiple

Inteligjenca artificiale po e ndryshon mënyrën se si e shohim dhe e vlerësojmë trurin në sklerozën multiple. Ajo na mundëson të kalojmë përtej identifikimit të lezioneve dhe të përqendrohemi edhe në matjen e ndryshimeve strukturore të indit cerebral

Dr. med. Ylli H. Mehmeti Radiolog

Skleroza multiple është një sëmundje kronike, inflamatore dhe neurodegjenerative e sistemit nervor qendror, e cila prek trurin dhe palcën kurrizore. Ajo karakterizohet nga dëmtimi i mielinës, ndryshime inflamatore dhe, me kalimin e kohës, humbje e indeve nervore. Për një kohë të gjatë, vlerësimi radiologjik i kësaj sëmundjeje është përqendruar kryesisht në identifikimin e lezioneve demielinizuese në rezonancën magnetike. Megjithatë, zhvillimet e fundit në imazherinë mjekësore kanë sjellë një dimension të ri në monitorimin e saj: matjen e volumit të trurit dhe vlerësimin e atrofisë cerebrale me ndihmën e inteligjencës artificiale .

Pse është e rëndësishme matja e volumit të trurit?

Një nga karakteristikat më të rëndësishme të sklerozës multiple është se dëmtimi i sistemit nervor nuk kufizohet vetëm në lezionet që shihen në MRI. Përveç proceseve inflamatore, ndodhin edhe ndryshime neurodegjenerative, të cilat mund të çojnë në humbjen progresive të indit cerebral.

Kjo humbje e indit nervor, e njohur si atrofi cerebrale, mund të shfaqet që në fazat e hershme të sëmundjes, madje edhe tek pacientët që nuk paraqesin përkeqësim të dukshëm klinik.

Studimet kanë treguar se humbja e volumit të trurit lidhet me akumulimin e aftësisë së kufizuar neurologjike dhe mund të ofrojë informacion të rëndësishëm për ecurinë afatgjatë të sëmundjes.

Për këtë arsye, përveç numrit dhe madhësisë së lezioneve, gjithnjë e më shumë vëmendje po i kushtohet matjes së volumit të përgjithshëm të trurit, të substancës gri dhe strukturave të veçanta cerebrale.

Si ndihmon inteligjenca artificiale?

Tradicionalisht, radiologu vlerëson imazhet e rezonancës magnetike duke analizuar praninë, lokalizimin dhe përmasat e lezioneve. Megjithatë, vlerësimi vizual i humbjes së lehtë të volumit cerebral mund të jetë subjektiv dhe jo gjithmonë i mjaftueshëm për të identifikuar ndryshime të vogla ndërmjet dy ekzaminimeve të kryera në intervale kohore të ndryshme.

Këtu hyn në ndihmë inteligjenca artificiale.

Nëpërmjet algoritmeve të avancuara të përpunimit të imazheve dhe metodave të mësimit të thellë (Deep Learning), sistemet e bazuara në AI mund të analizojnë imazhet e MRI-së, të identifikojnë kufijtë anatomikë të strukturave cerebrale dhe të kryejnë segmentimin automatik të tyre.

Në këtë mënyrë, programet mund të matin: Volumin total të trurit, volumin e substancës gri (Grey Matter), volumin e substancës së bardhë (White Matter) , volumin e talamusit dhe strukturave të tjera të rëndësishme cerebrale., volumin dhe shpërndarjen e lezioneve demielinizuese.

Një nga avantazhet kryesore është mundësia e krahasimit sasior të ekzaminimeve të njëpasnjëshme. Kështu, ndryshimet që mund të jenë të vështira për t'u identifikuar vetëm me sy të lirë, mund të evidentohen përmes analizës kompjuterike.

Matja e volumit të trurit mund të ofrojë një informacion shtesë për këtë aspekt të sëmundjes. Ajo mund t'i ndihmojë neurologut dhe radiologut të krijojnë një pamje më të plotë të gjendjes së pacientit dhe të vlerësojnë ndryshimet që ndodhin me kalimin e kohës.

Në këtë mënyrë, AI mund të kontribuojë në një monitorim më të individualizuar dhe në një diskutim më të informuar mbi strategjinë terapeutike.

Sepse në sklerozën multiple, jo gjithmonë mjafton të shohim atë që është dëmtuar. Është po aq e rëndësishme të masim atë që po ndryshon.

Çfarë na tregon volumetria cerebrale?

Volumetria cerebrale është procesi i matjes sasiore të strukturave të trurit nëpërmjet rezonancës magnetike. Me ndihmën e AI, ky proces mund të automatizohet dhe të prodhojë të dhëna të standardizuara.

Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm është matja e ndryshimit të volumit të trurit në kohë. Nëse një pacient kryen MRI në fillim të ndjekjes dhe një ekzaminim tjetër pas 12 muajsh ose më shumë, programet e specializuara mund të krahasojnë vëllimet e strukturave cerebrale dhe të llogarisin ndryshimin e tyre.

Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e humbjes së përshpejtuar të volumit cerebral, një proces që mund të mos shoqërohet domosdoshmërisht me shfaqjen e lezioneve të reja në MRI.

Një studim i publikuar në vitin 2024, në revistën Multiple Sclerosis and Related Disorders , analizoi përdorimin e volumetrisë së asistuar nga inteligjenca artificiale në praktikën klinike dhe tregoi rëndësinë e saj në vlerësimin e ndryshimeve cerebrale tek pacientët me sklerozë multiple.

Gjithashtu, studime të reja kanë treguar se përdorimi i këtyre programeve mund të ndihmojë radiologët të identifikojnë humbjen e volumit cerebral edhe tek disa pacientë që konsiderohen klinikisht dhe radiologjikisht të qëndrueshëm. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *