Novitec i jep Ferrari 12Cilindri një pamje të re me karroceri të zgjeruar
Kompania gjermane Novitec ka prezantuar një version të modifikuar të Ferrari 12Cilindri, duke i dhënë modelit italian karroceri më të gjerë dhe elemente të reja aerodinamike. Edhe pse ndryshimet janë të shumta, dizajni përfundimtar mbetet relativisht i përmbajtur dhe ruan linjat elegante të veturës origjinale.
Projekti i ri është pjesë e serisë N-Largo, një linjë konvertimesh me prodhim të kufizuar, të cilën Novitec e zhvillon që nga viti 2013. Për këtë projekt, kompania ka bashkëpunuar me stilistin gjerman Vittorio Strosek, ndërsa pjesët e reja të karrocerisë janë punuar kryesisht nga fibra e karbonit.
Paketa përfshin parakolpë të ridizajnuar, parafangot më të gjera, pragje anësore prej fibre karboni dhe mbulesa të reja për pasqyrat, transmeton Telegrafi.
Në pjesën e përparme, parakolpi i ri ka hyrje më të mëdha të ajrit dhe spoiler të integruar. Kapaku i motorit është pajisur me një dalje të re ajri, të rrethuar me fibër karboni të ekspozuar. Novitec ka hequr gjithashtu elementin e diskutueshëm të dizajnit të përparmë të Ferrarit, i cili shpesh është kritikuar për pamjen e tij.
Në pjesën e pasme është vendosur një spoiler i tipit ducktail, i përbërë nga tri pjesë dhe që shtrihet përgjatë karrocerisë. Parakolpi i pasmë përfshin gjithashtu një difuzor të ri prej fibre karboni dhe dy dalje të sistemit të shkarkimit.
Ndryshimet nuk janë vetëm estetike. Sipas Novitec, komponentët janë zhvilluar duke pasur parasysh përmirësimin e aerodinamikës dhe janë optimizuar përmes testeve në tunelin e erës. Parafangot e përparme kanë hapje në formë gushëzash, të cilat ndihmojnë në largimin e ajrit të nxehtë nga hapësira e rrotave, ndërsa hyrjet dhe daljet shtesë të ajrit kontribuojnë në ftohjen e frenave të pasme.
Pezullimi është ulur me rreth 30 milimetra përmes sustave sportive të prodhuara nga vetë kompania.
Karroceria më e gjerë krijon hapësirë për fellnet e reja Novitec NF12 N-Largo, të zhvilluara në bashkëpunim me prodhuesin amerikan Vossen. Ato kanë dizajn me pesë krahë në formë Y-je dhe qendër konkave.
Fellnet e përparme janë 21-inçëshe dhe pajisen me goma 275/35 ZR 21, ndërsa ato të pasme janë 22-inçëshe dhe përdorin goma më të gjera, me përmasa 325/30 ZR 22.
Novitec ofron edhe një sistem të përmirësuar shkarkimi prej çeliku inox për motorin atmosferik V12 të Ferrarit. Ai përmban valvula të kontrolluara elektronikisht, duke u mundësuar shoferëve të zgjedhin mes një tingulli më të qetë dhe një zhurme dukshëm më të fuqishme.
Për blerësit që kërkojnë një përfundim më ekskluziv, sistemi mund të porositet edhe me veshje prej ari të pastër 999. Në dispozicion janë gjithashtu katalizatorë sportivë, të cilët, sipas kompanisë, ndihmojnë në optimizimin e shpërndarjes së fuqisë së motorit.
Megjithatë, Novitec nuk ka publikuar ende të dhëna konkrete për fuqinë e versionit të modifikuar, ndaj nuk dihet nëse ka ndonjë rritje të kuaj-fuqisë. Për momentin, përmirësimet e sistemit të shkarkimit duket se përqendrohen kryesisht te tingulli dhe optimizimi i funksionimit të motorit.
Edhe pjesa e brendshme do të mund të personalizohet sipas dëshirave të pronarit, por kompania nuk ka dhënë ende detaje për materialet, veshjet apo opsionet e dekorimit.
Novitec nuk ka bërë të ditur çmimin dhe numrin e saktë të ekzemplarëve që do të prodhohen. Projekti N-Largo do të ofrohet si veturë e kompletuar, e konfiguruar sipas preferencave të blerësit, ose si paketë modifikimi për pronarët që tashmë kanë një Ferrari 12Cilindri. /Telegrafi/
