Krahu i majtë i Demokratëve po e promovon Ocasio-Cortez-in si kandidate për presidente të SHBA-së
Dega e Nju Jorkut e organizatës Socialiste Demokratike të Amerikës (DSA) i ka bërë thirrje zyrtarisht të shtunën kongresistes Alexandria Ocasio-Cortez që të kandidojë për presidente të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2028.
Rezoluta e miratuar nga DSA në New York nuk përbën një përkrahje zyrtare të kandidaturës së saj, por është përpjekja më e fundit e socialistëve demokratë për ta nxitur Ocasio-Cortez, një nga figurat më të njohura të kësaj lëvizjeje, që të garojë për Shtëpinë e Bardhë.
Bashkëkryetari i degës lokale të DSA-së, Gustavo Gordillo, e përshkroi rezolutën si “një angazhim për të nxitur dhe ndërtuar bazat e një fushate presidenciale”, transmeton Telegrafi.
“AOC dhe DSA e New Yorkut janë të përkushtuara për ndërtimin e një lëvizjeje më të fuqishme socialiste demokratike. DSA do të krijojë kushtet për një fushatë presidenciale që mund të çojë përpara një agjendë politike në shërbim të klasës punëtore”, deklaroi Gordillo në një konferencë për media pas kuvendit.
Degët e DSA-së në Atlanta, Colorado, Los Angeles dhe Ithaca të New Yorkut kanë miratuar tashmë rezoluta që e inkurajojnë Ocasio-Cortez të kandidojë. Këto dokumente pasqyrojnë edhe prioritetet që degët dëshirojnë që ajo t’i përfaqësojë, përfshirë vendosjen e një embargoje armësh ndaj Izraelit, shfuqizimin e Agjencisë Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE), si dhe zbatimin e programit Medicare for All dhe Marrëveshjes së Re të Gjelbër (Green New Deal).
Një zëdhënës i Ocasio-Cortez, e cila iu bashkua sërish DSA-së në gusht, pasi më parë kishte lejuar skadimin e anëtarësimit, nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Rezoluta e paraqet një kandidim të mundshëm të saj për presidente si mundësi për të përfaqësuar votuesit e klasës punëtore dhe për të zgjeruar ndikimin kombëtar të DSA-së.
Dokumenti u miratua me 291 vota pro dhe 123 kundër. Gjatë debatit para votimit, disa anëtarë shprehën kundërshtimin e tyre, duke argumentuar se Ocasio-Cortez është larguar nga identiteti dhe prioritetet themelore të organizatës. Ata gjithashtu paralajmëruan se një rezolutë që e nxit atë të kandidojë mund të krijojë paqartësi lidhur me procesin e përkrahjes zyrtare, i cili pritet të zhvillohet më vonë.
Anëtarët e DSA-së kanë pasur edhe më parë mospajtime me Ocasio-Cortez për qëndrimet dhe politikat e saj. Në vitin 2024, organizata në nivel kombëtar ia tërhoqi përkrahjen, duke argumentuar se ajo nuk i kishte përmbushur kriteret e kërkuara lidhur me konfliktin izraelito-palestinez.
Gordillo i minimizoi kundërshtimet, duke thënë se organizata rrallë arrin unanimitet në votimin e rezolutave të saj. Ai paralajmëroi se mospajtimet nuk janë domosdoshmërisht tregues të angazhimit në organizimin në terren dhe shtoi se anëtarët do të jenë të gatshëm të angazhohen në një fushatë presidenciale socialiste demokratike.
“Kur lejojmë mospajtimet dhe u japim njerëzve mundësinë të paraqesin kritika konstruktive ndaj përfaqësuesve tanë të zgjedhur, kjo i bën ata të ndihen më të përfshirë në lëvizje. Kemi një histori të gjatë të bashkëpunimit me kongresisten, edhe kur nuk kemi qenë gjithmonë në një linjë me disa nga qëndrimet e saj për Palestinën. Megjithatë, kemi arritur të punojmë së bashku dhe të forcojmë si DSA-në, ashtu edhe platformën e saj. Mendoj se ky është angazhimi që po marrim përsipër”, tha ai.
Ocasio-Cortez ka deklaruar se do ta vendosë për hapin e ardhshëm politik pas zgjedhjeve të mesmandatit. Ajo ka pranuar se po shqyrton mundësinë e kandidimit për presidente ose për Senatin amerikan.
Gjatë vlerësimit të këtyre alternativave, kongresistja ka thënë se po merr parasysh prejardhjen e saj etnike, jetën personale, moshën dhe mundësinë që secila rrugë t’i mundësojë realizimin e synimeve të saj politike. /Telegrafi/
