Nga Vaksinca në Kumanovë, mbi dy dekada në shërbim të pacientëve – rrëfimi i Dr. Eljasa Alijës
Intervistë për Televizionin News, rrëfimi i Dr. Eljasa Alija
Televizioni News: Doktor, fillimisht na tregoni për prejardhjen tuaj. Ku keni lindur dhe ku e keni nisur shkollimin?
Dr. Eljasa R. Alija: Kam lindur më 7 janar 1962 në fshatin Vaksincë, në Komunën e Likovës, afër Kumanovës. Shkollën fillore e kam kryer në shkollën “Rilindja”, në vendlindje, ndërsa gjimnazin “Goce Dellçev” e kam ndjekur në Kumanovë.
Televizioni News: Kur i filluat studimet e mjekësisë dhe kur e morët titullin doktor i mjekësisë?
Dr. Eljasa R. Alija: Në vitin shkollor 1981/82, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, u regjistrova në Fakultetin e Mjekësisë “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në shtator të vitit 1987 i përfundova studimet dhe fitova titullin doktor i mjekësisë.
Televizioni News: Pas përfundimit të studimeve, ku e nisët punën dhe si i kujtoni vitet e para të karrierës suaj?
Dr.Eljasa R. Alija: Nga viti 1988 deri në vitin 1994 isha i punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Ishin vite shumë të vështira për ne si mjekë shqiptarë. Ishim të pakët në numër dhe përballeshim me politika diskriminuese e shoviniste, si dhe me dyshime të vazhdueshme, ndonëse synimi ynë ishte t’i shërbenim popullatës. Udhëtoja çdo ditë nga fshati im për në Kumanovë, në një periudhë kur pasiguria ishte e pranishme dhe nuk e dija se si do të përfundonte dita.
Televizioni News: Në rrëfimin tuaj përmendni edhe një ngjarje të vitit 1989, kur punonit në dispanzerin e fëmijëve. Çfarë ndodhi atëherë?
Dr. Eljasa R. Alija: Në vitin 1989, kur punoja në dispanzerin e fëmijëve, një mëngjes, sapo hyra në ordinancë, pashë në mur fotografinë e Sllobodan Millosheviqit, të vendosur aty nga një motër medicinale serbe. U largova menjëherë nga ordinanca. Kishte edhe dëshmitarë të tjerë të kësaj ngjarjeje. Fotografia u hoq dhe ne vazhduam punën, atë që e dinim më së miri dhe që e kishim mision e profesion. Pati edhe raste të tjera provokimesh. Ato ishin vite të vështira, të cilat i kaluam mes shumë rreziqesh, por edhe me dinjitet.
Televizioni News: Në vitin 1994 hapët ordinancën tuaj private në Vaksincë. Si e kujtoni periudhën 25-vjeçare të punës në vendlindjen tuaj?
Dr. Eljasa R. Alija: Në vitin 1994, kur u lejua themelimi i ordinancave private, hapa ordinancën time në fshatin e lindjes. Aty u shërbeva bashkëvendësve të mi deri në vitin 2019, plot 25 vjet. Ishte një kënaqësi e veçantë të shërbeje njerëzit e vendlindjes, të cilët të njihnin dhe të besonin shëndetin e tyre.
Televizioni News: Më pas u specializuat në otorinolaringologji. Kur e përfunduat specializimin dhe kur e hapët kabinetin në Kumanovë?
Dr. Eljasa R. Alija: Në vitin 1999 fillova specializimin në otorinolaringologji në Shkup, të cilin e përfundova brenda afatit të paraparë dhe fitova titullin specialist i otorinolaringologjisë. Në vitin 2003 hapa kabinetin tim të ORL-së në Kumanovë, ku edhe sot ushtroj profesionin si specialist. Që nga viti 2000, së bashku me familjen time, jetoj në Kumanovë.
Televizioni News: Sot, në ambulantën “ORL Bio-Medika”, ofroni shërbime të ndryshme diagnostikuese. Me çfarë pajisjesh dhe metodash punoni?
Dr. Eljasa R. Alija: Gjatë këtyre viteve e kam pajisur kabinetin me aparaturë moderne për endoskopi, audiologji, oto-neurologji dhe vestibulometri. Jam përpjekur vazhdimisht të jem në hap me zhvillimet e shkencës dhe teknologjisë, përmes edukimit të vazhdueshëm, me qëllim që diagnostikimi të jetë sa më i saktë dhe trajtimi sa më efikas. Në ambulantë kryejmë video-endoskopi të hundës, nazofaringut, fytit, laringut dhe veshit. Gjithashtu, bëjmë ekzaminime të dëgjimit dhe të funksionit të veshit të mesëm, përfshirë audiometrinë dhe timpanometrinë, si dhe ekzaminime të tjera që ndihmojnë në vlerësimin e problemeve të dëgjimit dhe të ekuilibrit. Procedurat dokumentohen edhe përmes softuerëve përkatës, ndërsa pacientët mund t’i marrin rezultatet e ekzaminimeve në formë të shtypur.
Televizioni News: Një pjesë e rëndësishme e punës suaj lidhet me diagnostikimin e problemeve të dëgjimit, veçanërisht te foshnjat dhe fëmijët. Çfarë metodash përdorni?
Dr. Eljasa R. Alija: Për vlerësimin e dëgjimit përdorim metoda të ndryshme audiologjike, përfshirë audiometrinë, timpanometrinë dhe emisionet otoakustike, të njohura si OAE. Këto ekzaminime janë veçanërisht të rëndësishme te foshnjat dhe fëmijët, sepse mundësojnë vlerësimin e hershëm të dëgjimit. Për këtë qëllim përdorim pajisje si Maico ERO-SCAN DPOAE dhe Otoread nga Interacoustics. Këto ndihmojnë në vlerësimin e funksionit të veshit të brendshëm dhe në identifikimin e problemeve të mundshme të dëgjimit. Gjithashtu, përdorim aparatin Maico Beraphone për ekzaminime të specializuara që ndihmojnë në vlerësimin e dëgjimit dhe në orientimin drejt shkakut të mundshëm të çrregullimit. Diagnostikimi i hershëm është shumë i rëndësishëm, sidomos te fëmijët e vegjël.
Televizioni News: Po te fëmijët që kanë vështirësi në frymëmarrje, gërhasin gjatë natës ose kanë probleme të shpeshta me hundën, çfarë mund të zbulojë ekzaminimi ORL?
Dr. Eljasa R. Alija: Përmes video-endoskopisë mund të vlerësojmë gjendjen e hundës, nazofaringut dhe bajames së tretë, e cila njihet edhe si adenoidi. Kur kjo strukturë është e zmadhuar, mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje përmes hundës, gërhasje gjatë gjumit dhe probleme të tjera. Pas ekzaminimit, vlerësohet nëse nevojitet trajtim apo ndërhyrje kirurgjikale. Gjithashtu, kryejmë ekzaminime me ultrazë të sinuseve paranazale, të cilat mund të ndihmojnë në vlerësimin e problemeve të caktuara, veçanërisht te fëmijët. Kjo metodë nuk përdor rrezatim.
Televizioni News: Në ambulantën tuaj trajtoni edhe pacientë që vuajnë nga marramendja dhe çrregullimet e ekuilibrit. Çfarë roli ka vestibulometria në këto raste?
Dr. Eljasa R. Alija: Vestibulometria na ndihmon të vlerësojmë funksionin e sistemit të ekuilibrit dhe të kërkojmë shkakun e marramendjes. Ekzistojnë shkaqe të ndryshme të këtyre shqetësimeve, prandaj është i rëndësishëm ekzaminimi i duhur. Në rastet kur problemi lidhet me zhvendosjen e kristaleve në veshin e brendshëm, mund të kryejmë manovra të posaçme për ripozicionimin e tyre. Në shumë raste, pacientët ndiejnë lehtësim ose përmirësim edhe pas seancës së parë, megjithëse rezultati varet nga shkaku i problemit.
Televizioni News: Sa rëndësi ka që pacienti të ndihet i dëgjuar dhe të kuptojë se çfarë ekzaminimesh po i bëhen?
Dr. Eljasa R. Alija: Besoj se mjekësia e mirëfilltë është shtylla e një shoqërie të shëndetshme. Para çdo ekzaminimi, ua shpjegoj pacientëve hapat që do të ndjekim dhe u jap kohë të tregojnë se çfarë i shqetëson. Çdo problem e trajtoj me seriozitet. Qoftë dobësimi i dëgjimit, hunda e bllokuar për një kohë të gjatë, ankesat në fyt, vështirësitë në frymëmarrje te fëmijët apo marramendja, qëllimi është të gjendet shkaku dhe të ofrohet trajtimi i duhur.
Televizioni News: Doktor, përveç profesionit të mjekut, cilat gjuhë flisni?
Dr. Eljasa R. Alija: Flas shqip, maqedonisht, serbo-kroatisht, anglisht dhe frëngjisht në nivel komunikimi, ndërsa gjuhët e tjera i njoh në nivel studimi.
Televizioni News: Përtej angazhimit profesional, çfarë rëndësie ka familja në jetën tuaj?
Dr. Eljasa R. Alija: Kam një familje të mrekullueshme, që më jep energjinë dhe mbështetjen e duhur. Bashkë me gruan time, kam tre djem: Meritonin, i cili është stomatolog, Rinorin, i cili studion në Fakultetin e Gjuhës Gjermane, dhe Bleonin, i cili është mjek. Kam edhe dy mbesa të ëmbla, Blinën dhe Lunën. Edhe kur jam i lodhur, ato më çlodhin, sepse ma shërojnë shpirtin.
Televizioni News: Në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët që kanë shqetësime me veshin, hundën apo fytin?
Dr. Eljasa R. Alija: Nëse keni ndonjë shqetësim në vesh, hundë apo fyt, jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe për t’ju ndihmuar. Diagnoza e saktë dhe e shpejtë është shumë e rëndësishme për trajtimin dhe shëndetin e pacientit.
