Shqipëria merr 15% fonde shtesë nga Plani i Rritjes, ishin të dedikuara për Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri sot të ditur se Shqipëria do të përfitojë 15% më shumë fonde nga Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, falë mekanizmit të rishpërndarjes së fondeve që nuk arrijnë të përthithen nga vendet e tjera të rajonit.
Gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos, në kuadër të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, të mbajtur në Tiranë, Rama vlerësoi ecurinë e Shqipërisë dhe progresin në procesin e integrimit europian.
Kreu i qeverisë theksoi se diskutimet janë përqendruar në katër drejtime kryesore, ku ndër më të rëndësishmet janë reformat që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e qeverisjes, krijimin e një mjedisi konkurrues për biznesin, si dhe përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
“Kanë qenë 40 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor, nga samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek konferenca e investimeve BE – Ballkani Perëndimor në edicionin e saj të dytë në Tiranë dhe sot samiti i planit të ri të rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri. Dhe siç e konfirmoi edhe komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% plus shumës së saj në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.
“Katër ishin drejtimet e diskutimit të brendshëm, sepse katër janë drejtimet e kësaj pune të madhe të përbashkët. Së pari, reformat, reformat që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital”, tha Rama.
Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas Ramës, është integrimi gradual i Shqipërisë në tregun e vetëm europian.
Rama u ndal tek përfshirja e vendit në sistemin europian të transaksioneve dhe pagesave, ku gjatë 11 muajve janë përpunuar 788 mijë transaksione, me një vlerë totale prej 8.7 miliardë eurosh.
Sipas kryeministrit, ky integrim u ka kursyer deri më tani qytetarëve dhe bizneseve shqiptare rreth 20 milionë euro, ndërsa potenciali i kursimeve mund të arrijë deri në 71 milionë euro në vit.
“Së dyti, integrimi hap pas hapi në tregun e vetëm europian. 11 muaj më parë Shqipëria hyri në sistemin europian të transaksioneve të parasë dhe të pagesave dhe në 11 muaj janë përpunuar 788,000 transaksione me një vlerë prej 8.7 miliardë euro. Dhe kursimet deri tani të shqiptarëve falë hyrjes në këtë sistem janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është për deri në 71 milionë euro në vit kursime nga xhepi i qytetarëve shqiptarë dhe i bizneseve, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët europian të pagesave, jashtë të cilit këto 20 milionë euro do kishin ikur tani nga xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe do ishin nëpër bankat e Europës”, tha ai./ATSH
