TË FUNDIT

Ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, Trump emëron shefin e kabinetit

Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar Stephen Millerin në postin e shefit të ri të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, duke zëvendësuar Susie Wiles, vetëm pak ditë pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Miller, 41 vjeç, i cili aktualisht shërben si zëvendësshef i kabinetit dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, do të marrë zyrtarisht detyrën të hënën, më 9 nëntor.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Stephen Miller, zëvendësshefi aktual i kabinetit të administratës Trump dhe një prej këshilltarëve të mi më të besuar, do të bëhet shef i kabinetit”, deklaroi presidenti amerikan.

Susie Wiles, 69 vjeçe, e cila ishte gruaja e parë në këtë post në Shtëpinë e Bardhë, do të largohet nga administrata presidenciale për t'iu bashkuar strukturave politike të Trumpit.

Presidenti vlerësoi punën e saj, duke e cilësuar mandatin e saj si të jashtëzakonshëm.

Edhe Wiles konfirmoi largimin përmes një deklarate, ku tha se shërbimi ndaj Trumpit në Shtëpinë e Bardhë kishte qenë “nderi i jetës së saj”.

Ajo përmendi si arritje të administratës politikat për sigurinë kufitare, uljen e taksave dhe ekonominë.

Ndryshe, Miller ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Trumpit për më shumë se një dekadë, që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2016.

Ai konsiderohet një prej arkitektëve kryesorë të politikave të ashpra të administratës për emigracionin, përfshirë fushatën për dëbimin masiv të emigrantëve gjatë mandatit të dytë të Trumpit.

Emërimi i tij e vendos një prej mbështetësve më të zëshëm të forcimit të kontrolleve ndaj emigracionit në qendër të vendimmarrjes së Shtëpisë së Bardhë.

Ky ndryshim në udhëheqjen e kabinetit vjen në një kohë kur administrata Trump po përballet me kritika dhe shqyrtim të shtuar për operacionet e saj të emigracionit. Vëmendje të veçantë kanë marrë edhe të shtënat fatale ndaj dy protestuesve nga agjentë të emigracionit në Minneapolis, në janar, të cilat shkaktuan protesta të gjera dhe kritika ndaj metodave të zbatimit të ligjit nga autoritetet federale.

Ndryshimi në personel vjen gjithashtu pas një rezultati të pafavorshëm për republikanët në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët fituan kontrollin e të dy dhomave të Kongresit.

Ky rezultat përbën një goditje të rëndësishme politike për Trumpin dhe pritet të shtojë presionin ndaj administratës për agjendën e saj të brendshme.

Me kalimin e Wiles në strukturat politike të tij dhe promovimin e Millerit në postin e shefit të kabinetit, Trump po riformëson rrethin e tij më të afërt të këshilltarëve në një moment të ndjeshëm politik. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *