TË FUNDIT

Ndahet nga jeta në moshën 37-vjeçare koreografi shqiptar Leander Veizi, u gjet i vdekur në banesën e tij në Gjermani

Koreografi dhe balerini me origjinë shqiptare, Leander Veizi, është gjetur i vdekur në apartamentin e tij në Regensburg të Gjermanisë, të hënën. Ai ishte 37 vjeç dhe mbante pozitën e drejtorit të përkohshëm të Kompanisë së Vallëzimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga vetë teatri, ndërsa sipas policisë gjermane, në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar shenja dhune apo përfshirje të ndonjë personi tjetër.

Veizi, i cili kishte ndërtuar një karrierë në skenat evropiane të vallëzimit, ishte shkolluar në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë dhe në Scuola del Balletto di Toscana në Itali.

Gjatë karrierës së tij, ai ishte angazhuar në institucione të njohura artistike, përfshirë Operën Kombëtare Shqiptare, Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart, Ballet Vorpommern dhe TanzTheaterMunster.

Gjithashtu, kishte bashkëpunuar me koreografë të njohur dhe kishte interpretuar role të ndryshme kryesore.

Në vitin 2022, Leander Veizi iu bashkua Teatrit Shtetëror të Regensburgut si balerin, ndërsa paralelisht zhvilloi edhe veprimtarinë e tij si koreograf. Në fillim të këtij sezoni, ai mori përsipër drejtimin e përkohshëm të kompanisë së vallëzimit.

Pas lajmit për vdekjen e tij, Teatri Shtetëror i Regensburgut ka shprehur dhimbjen për humbjen e artistit dhe kolegut.

“Me hidhërim të thellë mësuam për vdekjen e papritur të kolegut dhe mikut tonë Leander Veizi. Vajtojmë për humbjen e një miku dhe artisti frymëzues. Mendimet tona janë me familjen e tij në Shqipëri, Itali dhe SHBA, partneren e tij dhe të dashurit e tij më të ngushtë”, thuhet në reagimin e teatrit.

Në nderim të tij, në ambientet e teatrit, në Bismarckplatz, është hapur edhe një libër ngushëllimesh, ku qytetarët dhe kolegët mund të shprehin mesazhet e tyre ./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *