POLITIKATË FUNDIT

NATO: Situata në Kosovë e qëndrueshme, optimizimi i pranisë së KFOR-it varet nga zhvillimet në terren

Aleanca Veriatlantike (NATO) ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme dhe se ka vazhduar të përmirësohet, por ka theksuar se procesi i optimizmit të pranisë dhe strukturës së KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren dhe mund të anulohet ose të kthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë.

Në njoftimin për ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të KFOR-it, NATO-ja ka rikonfirmuar se procesi i optimizimit të pranisë dhe strukturës së KFOR-it është duke vazhduar në atë mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij.

Procesi sipas njoftimit përfshin përshtatjen graduale dhe të kujdesshme të strukturës dhe numrit të trupave të KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm.

Por sipas tyre ai do të varet nga zhvillimet në terren.

“Procesi do të varet nga zhvillimet në terren dhe mund të anulohet ose të kthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n.

“Përkushtimi i Aleancës ndaj stabilitetit rajonal mbetet i palëkundur, ndërsa KFOR-i vazhdon të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes” thuhet në njoftim.

“Kjo bëhet në përputhje me mandatin afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet tutje.

Të mërkurën turku Ozkan Ulutash ka përmbyllur misionin e tij si komandant i misionit të KFOR-it dhe vendin e tij e ka zënë italiani Esercito Vergori.

Në ceremoni morri pjesë edhe admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, i cila tha se prania e KFOR-it do të optimizohet, por theksoi se kjo nuk nënkupton tërheqje të trupave aleate.

Pasi e ka marrë komandën Vergori së bashku me Wikoffin, ka vizituar Manastirin e Graçanicës, ku kanë qenë edhe udhëheqësi i Eparkisë së Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije Shibaliq si dhe kreu i Manastirit të Deçanit Sava Janjiq.

Në njoftimin e NATO-s për vizitën në Manastirin e Graçanicës thuhet se KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin e tij për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës dhe përmend rastin e Manastirit të Deçanit.

“KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin e tij për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës, përfshirë përgjegjësinë e tij të vazhdueshme për sigurinë e Manastirit të Deçanit, të cilin e mbron që nga viti 1999”, thuhet në njoftimin në faqen në Instagram.

Ata kanë takuar edhe përfaqësues të Listës Serbe dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Ata gjithashtu kanë zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla e drejtorin e Policisë Gazmend Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *