TË FUNDIT

Me flamurin e UÇK-së në ballinë, Blick përshkruan protestat në Shqipëri, përmendet edhe Kosova

Protestat në Shqipëri po marrin përmasa më të gjera, ndërsa pakënaqësia e të rinjve lidhet me perspektivat e dobëta të punësimit, problemet në arsim dhe akuzat për korrupsion në nivelet e larta të pushtetit. Ky është raportimi që ka bërë Blick.ch në Zvicër, duke i dhënë fokus asaj se çka po ndodh realisht në shtetin shqiptar. Sipas analizës së mediumit zviceran, zemërimi i protestuesve, i cili fillimisht u shfaq edhe kundër ndërtimit të një resorti luksoz pranë lagunës së Nartës, ku jetojnë flamingot, tashmë është përqendruar edhe te qeveria shqiptare. Projekti turistik lidhet me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa investitorët kanë përfituar status të veçantë nga autoritetet shqiptare. Sipas të dhënave të përmendura në artikull, afro 18 për qind e shqiptarëve nën moshën 29-vjeçare janë pa punë. Historiani dhe eksperti i Ballkanit, Konrad Clewing, vlerëson se tregu i punës në Shqipëri ofron mundësi të kufizuara për personat pa arsim të lartë, ndërsa vendet e punës në industri janë të pakta. Artikulli nënvizon gjithashtu problemet në sistemin arsimor, përfshirë infrastrukturën e amortizuar dhe programet mësimore që, sipas ekspertit, nuk u përgjigjen plotësisht kërkesave moderne, transmeton Telegrafi. Pakënaqësia shtohet edhe nga akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë, të cilat kanë dëmtuar besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Sipas Blick, opozita shqiptare po përpiqet t’i shfrytëzojë protestat për qëllimet e saj politike. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mosbindje civile. Eksperti Clewing shprehet se në protestat e dhunshme mund të kenë marrë pjesë edhe persona me përvojë në përleshje, por thekson se nuk mund të provohet përfundimisht se protestat janë infiltruar nga opozita, transmeton Telegrafi. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka fajësuar protestuesit për dëmtimet e shkaktuara në institucionet arsimore dhe publike. Analiza vë në dukje se Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajon ku po shfaqen tensione. Në Kosovë, artikulli përmend protestat lidhur me dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë, duke evidentuar edhe praninë e simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në protestat në Tiranë.

Megjithatë, Clewing nuk sheh një lidhje të drejtpërdrejtë mes protestave në Shqipëri dhe atyre në Francë, ku gjithashtu janë shënuar trazira. Eksperti ngre edhe mundësinë që forca të jashtme të mund të përpiqen të shfrytëzojnë tensionet për të penguar afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke përmendur përpjekjet e Rusisë për të dobësuar bashkëpunimin evropian në Ballkan. Artikulli nuk paraqet prova konkrete për përfshirje të tillë në protestat aktuale. Pavarësisht tensioneve të brendshme, mbështetja e shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian mbetet shumë e lartë. Sipas shifrës së cituar nga Blick, 96% e shqiptarëve mbështesin integrimin evropian. Artikulli e paraqet këtë si një nga çështjet e pakta për të cilat ekziston konsensus i gjerë në Shqipëri, pavarësisht ndasive politike dhe pakënaqësisë së të rinjve ./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *