POLITIKATË FUNDIT

NATO harton planin për mposhtjen e një sulmi rus me dronë dhe inteligjencë artificiale

NATO po harton një strategji të re për përballimin dhe mposhtjen e shpejtë të një sulmi të mundshëm rus në krahun lindor të aleancës, me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, sistemeve pa ekuipazh dhe inteligjencës artificiale (AI).

Dokumenti, i titulluar “Theory of Victory” (Teoria e Fitores), është siguruar në një version të paklasifikuar nga Bloomberg dhe pritet të prezantohet më 12 tetor në Poloni nga komandanti suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich.

Sipas zyrtarëve dhe diplomatëve të informuar për planin, dokumenti synon të qartësojë mënyrën se si NATO do të reagonte ndaj një inkursioni të mundshëm në territorin e aleancës, në një kohë kur tensionet mes NATO-s dhe Rusisë janë rritur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar së fundmi se nuk ka indikacione se Rusia po përgatitet për një sulm konvencional ndaj aleancës. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se Evropa duhet të jetë e përgatitur për sulme hibride afatgjata.

Zëdhënësi i Grynkewich, koloneli Martin O’Donnell, nuk pranoi të komentojë detajet e dokumentit, por theksoi se strategjia është “tërësisht mbrojtëse”, transmeton Telegrafi.

“Teoria e fitores së Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë është e thjeshtë: të ruajmë avantazhin e NATO-s”, tha O’Donnell.

Sipas tij, aleanca duhet të krijojë që tani kushtet për të parandaluar agresionin dhe, nëse sulmohet, të jetë në gjendje të fitojë.

Dokumenti synon gjithashtu t’u tregojë vendeve anëtare se si NATO mund të kombinojë armët tradicionale me teknologjitë e reja që kanë marrë rëndësi të madhe gjatë luftës në Ukrainë që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022.

Strategjia thekson karakterin mbrojtës të aleancës dhe shmangien e provokimeve të paqëllimshme, ndërsa parashikon kundërpërgjigje të përbashkët ndaj kërcënimeve hibride, pra veprimeve agresive që mbeten nën pragun e një konflikti të hapur.

Në rast të një sulmi ndaj NATO-s, plani parashikon ndalimin e inkursionit përmes kombinimit të forcave tokësore dhe kapaciteteve të tjera të krahut lindor. Në këtë kuadër do të përdoren dronë me kosto të ulët, sisteme me pak ose pa ekuipazh dhe teknologji të bazuara në AI për përcaktimin e objektivave.

Pas sigurimit të lirisë së manovrimit, NATO do të synonte të shkatërronte sistemet e komandimit dhe kontrollit të kundërshtarit, me synimin për të mposhtur forcat ruse shpejt dhe në mënyrë dërrmuese.

Aleatët e NATO-s, veçanërisht vendet evropiane, kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen, por kjo ka hapur debate mbi mënyrën se si duhet të ndahen fondet mes armatimeve tradicionale, si tanket, dhe teknologjive të reja që janë shfaqur si vendimtare në luftën në Ukrainë.

Ndërkohë, gjatë verës, Shtetet e Bashkuara u dërguan aleatëve të NATO-s një pyetësor për të vlerësuar shpenzimet e tyre ushtarake, mbështetjen ndaj politikave të presidentit Donald Trump dhe kapacitetet që mund të kontribuojnë në mbrojtjen e Evropës.

Në kuadër të këtij vlerësimi, SHBA-ja pyeti gjithashtu aleatët nëse kishin forca shtesë që mund t’i angazhonin në NATO për zbatimin e planeve të mbrojtjes së Grynkewich. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *