Nagavci për shtrenjtimin e jetesës, përmend pikat e projektbuxhetit 2027
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci duke folur për inflacionin ekonomik në vend, ka përmendur subvencionimin e faturave të rrymës, rritjen e shtesave për fëmijë dhe të pagave në sektorin publik, si strategji për lehtësim të gjendjes.
“Për dimrin 2026-2027, Qeveria ka miratuar programin e subvencionimit të faturave të rrymës për familjet e cenueshme, me rreth 15 milionë euro të parapara”, ka theksuar shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Nagavci ka premtuar rritje progresive të shtesave për fëmijë dhe të pagave në sektorin publik.
“Me projektbuxhetin e vitit 2027 është paraparë edhe rritja progresive e shtesave për fëmijë, duke filluar me 25 për qind nga janari, deri në dyfishimin e tyre në vitin 2030. Po ashtu, rritje të pagave në sektorin publik gjatë vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Nagavci. Nagavci tha se luftërat nëpër botë kanë ndikim ekonomik në Kosovë, por ato s’mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim.
“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato s’mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, është shprehur ajo. Nagavci ka thënë se gjatë vitit 2026, Qeveria ka ndërmarrë masa për mbështetjen e qytetarëve, përfshirë rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari dhe në 500 euro nga korriku, si dhe rritjen e shtesave për lehona në 500 euro në muaj. Ajo ka përmendur edhe Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, përmes së cilës janë paraparë nga 100 euro pagesa të njëhershme për pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat.
