Musk i propozoi Trumpit ngadalësimin e sistemit satelitor ukrainas, presidenti amerikan e miratoi propozimin
Elon Musk i ka propozuar personalisht presidentit amerikan, Donald Trump, ngadalësimin e sistemit satelitor Starshield, të përdorur nga Ukraina, dhe ky i fundit e ka pranuar propozimin, raportoi The Telegraph , duke cituar katër burime të njohura me çështjen.
Sipas raportimit, kufizimet e vendosura në sistem ndikuan në aftësitë operacionale të dronëve ukrainas, duke ua kufizuar shpejtësinë në rreth 160 kilometra në orë.
Kjo ua vështirësoi ndjeshëm interceptimin e dronëve dhe raketave ruse që lëvizin me shpejtësi më të madhe.
Starshield është një sistem satelitor i zhvilluar nga kompania SpaceX e Musk, i cili përdoret për komunikime të sigurta dhe mbështetje të operacioneve qeveritare e ushtarake.
Teknologjia satelitore ka rëndësi të veçantë për Ukrainën, e cila mbështetet në komunikimet e qëndrueshme për koordinimin e forcave dhe operacionet me dronë.
Sipas The Telegraph, Musk e ka fajësuar publikisht Shtëpinë e Bardhë lidhur me kufizimet, ndërsa Trumpi ka mohuar përgjegjësinë për këtë vendim.
Raportimi vjen në një kohë kur dronët janë bërë një prej mjeteve kryesore të luftës në Ukrainë, si për zbulimin e objektivave, ashtu edhe për sulmet ndaj forcave dhe pajisjeve ushtarake.
Aftësia për të përdorur komunikime satelitore të besueshme është thelbësore për funksionimin e këtyre sistemeve në fushëbetejë. /Telegrafi/
