Mujaj-Bajraktaraj flet për fëmijën lidhur me rastin e Arlinda Zekajt: QPS-ja s’ka qenë e informuar që babai ka shkuar në Amerikë
Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, është intervistuar nga Komisioni Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gjatë intervistimit, Mujaj-Bajraktaraj është pyetur edhe për çështjen e fëmijës, i cili në një periudhë të caktuar kishte qëndruar me familjarë të tjerë.Ajo ka deklaruar se, sipas informacionit që posedon, fëmija kishte qenë me babanë, ndërsa ka bërë të ditur se ky i fundit kishte udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa e njoftuar Qendrën për Punë Sociale (QPS).
“Fëmijët ka qenë me babën aq sa kam unë informacion. Është një periudhë e caktuar ku baba në bazë të raportit, zhvendoset domethënë, shkon në Shtetet e Amerikës edhe nuk e informon QPS-në. QPS-ja nuk ka qenë e informuar që baba ka shkuar në Amerikë. Në momentin që e ka marrë informacionin, ka shkuar te pala, e ka verifikuar gjendjen, edhe i ka drejtuar departamentit. Këtë informacion e kam në bazë të raportit”, tha ajo.
