Dauti: Parandalohet tentativa për mashtrim, Dogana bllokon dhe asgjëson 2.8 tonë kripë të pajodizuar
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka njoftuar se nëpunësit doganorë kanë parandaluar një tentativë për mashtrim dhe kanë bllokuar futjen e paligjshme në vend të 2.8 tonëve kripë pa jod, e cila ishte deklaruar rrejshëm si kripë industriale.
Sipas njoftimit të publikuar nga Dauti, rasti është zbuluar nga nëpunësit e Njësisë Doganore Shkup 3 gjatë kontrolleve të rregullta për mbikëqyrjen e qarkullimit të mallrave në import. Importuesi – një prodhues i produkteve ushqimore – kishte deklaruar se ngarkesa prej 2.8 tonësh do të përdorej për qëllime industriale, por kontrollet e detajuara dëshmuan mospërputhje mes dokumentacionit doganor dhe përmbajtjes reale të mallit.
“Po mbrojmë edhe shëndetin e qytetarëve. Legjislacioni në Maqedoninë e Veriut përcakton detyrimin për përdorimin e kripës së jodizuar në ushqim, duke pasur parasysh rreziqet që paraqet konsumimi i kripës pa jod për shëndetin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e zëvendësdrejtorit Dauti.
Ndaj personave të dyshuar është iniciuar procedura përkatëse ligjore, ndërsa me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e gjithë sasia prej 2.8 tonësh kripë është asgjësuar në deponinë “Drislla”. Nga Drejtoria e Doganave theksojnë se do të vazhdojnë me kontrolle të rrepta në terren me qëllim zbatimin e ligjit, parandalimin e parregullsive në import dhe mbrojtjen e shëndetit dhe interesit publik.(INA)
