Muja: Bujqësia në Kosovë me rritje rekorde, 350 milionë euro mbështetje për fermerët
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka prezantuar të dhënat për mbështetjen e sektorit të bujqësisë gjatë periudhës 2021–2026, duke bërë të ditur se përmes granteve dhe subvencioneve janë ndarë rreth 350 milionë euro.
Në një postim në Facebook, ministri ka thënë se gjatë këtij mandati janë regjistruar afro 150 mijë përfitime nga fermerët.
Sipas të dhënave të publikuara prej tij, pagesat direkte për bujqësinë janë rritur për 103 për qind, nga 36.7 milionë euro në vitin 2020 në 74.7 milionë euro në vitin 2025.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se vlera e prodhimit bujqësor është rritur për 52.6 për qind, nga 779.5 milionë euro në 1.19 miliardë euro, ndërsa eksportet bujqësore, sipas tij, kanë shënuar rritje prej 152 për qind, nga 73.9 milionë euro në 186.6 milionë euro.
Ministri ka përmendur edhe mbështetjen për tokën bujqësore dhe blegtorinë, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë subvencionuar 130 mijë e 310 hektarë tokë bujqësore, apo 97 për qind më shumë krahasuar me vitin 2021.
Ndërkohë, sipas tij, janë financuar 103 stalla moderne për zhvillimin e blegtorisë.
Në postimin e tij, ministri ka theksuar edhe mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë, e cila, sipas të dhënave të publikuara, ka arritur në 51 milionë euro, apo 184 për qind më shumë krahasuar me periudhën 2018–2021.
Ai ka bërë të ditur se 11 milionë euro janë ndarë për 5 mijë e 655 gra fermere përmes granteve dhe subvencioneve.
Një tjetër çështje që ka përmendur ministri është kthimi i pronave të uzurpuara në pronësi të shtetit, përmes të cilit, sipas tij, është parandaluar një dëm prej mbi 500 milionë eurosh.
“Investimi në bujqësi është investim në ekonominë e vendit, në sigurinë ushqimore dhe në mirëqenien e familjeve tona”, ka shkruar ministri.
Ai ka përfunduar postimin duke theksuar se synimi është më shumë mbështetje për fermerët, rritje e prodhimit vendor dhe një sektor bujqësor më konkurrues.
