Maqedonia paralajmëron BE-në: Pa Ballkanin Perëndimor, BE-ja rrezikon të krijojë vakum gjeopolitik!
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova vlerësoi se Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se zgjerimi i Unionit nuk është vetëm çështje politike, por edhe imperativ i sigurisë. Ajo paralajmëroi se mospërfshirja e rajonit në BE mund të krijojë vakum gjeopolitik, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim më të madh rajonal, veçanërisht në fushën e transportit dhe energjisë, njofton TV21.
“Vërej se diçka po ndryshon në Bashkimin Evropian sa i përket Ballkanit Perëndimor. Kam thënë shumë herë se, që nga viti 2003 dhe Samiti i Selanikut, nuk kemi parë një strategji të qartë apo hapa konkretë për përparimin tonë. Megjithatë, në këtë moment, vetë Bashkimi Evropian po tregon shenja të një qasjeje tjetër. Kur them se takimin e sotëm në kuadër të Procesit Brdo-Brioni e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm, kam parasysh disa çështje. Së pari, do ta përsëris se zgjerimi nuk është thjesht një çështje e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Për ta shprehur në mënyrë më artistike, ai është një imperativ i sigurisë. Mendoj se Bashkimi Evropian, nëse dëshiron të jetë faktor në skenën komplekse të politikës globale, duhet ta kuptojë se duhet të jetë edhe një union gjeopolitik. Pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, do të krijohet një vakum gjeopolitik, ndërsa në politikë nuk ekziston kurrë një vakum. Së dyti, duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin duke krijuar lidhje më të mira të transportit dhe energjisë. Zgjidhja e këtyre çështjeve mund të sjellë energji të re në kuadër të Procesit Brdo-Brioni”, tha Siljanovska në paraqitjen para mediave pas procesit të Brdo-Brionit.
