Mister fati i inxhinierit shqiptar/ U zhduk pas sulmit ukrainas ndaj anijes turke, i vëllai kërkon ndihmë
Erkan Nika, inxhinieri i dytë në bordin e anijes turke Aroyat, e cila thuhet se u sulmua në Detin e Zi, është zhdukur. Nika, me origjinë shqiptare, nuk ishte midis ekuipazhit të shpëtuar dhe po kërkohet nga familja e tij, e cila po bën thirrje për ndihmë.
Anija turke “Aroyat”, pjesë e flotës së “Aroyat Management” me seli në Stamboll dhe e operuar nga “Kiva Marine”, kishte një ekuipazh prej 16 personash: 7 egjiptianë, 6 sirianë dhe 3 turq (këtu përfshihet dhe shqiptari Erkan Nika).
Ajo thuhet se u sulmua nga një dron pranë portit rus të Novorossiysk, në Detin e Zi më 27 shtator 2026. Sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe një zjarr shpërtheu në pjesën e pasme të anijes, ndërsa pretendimet se ai u krye nga forcat ukrainase nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Pas incidentit, filluan përpjekjet për evakuim dhe reagim fillestar. Megjithatë, emri i Inxhinierit të Dytë Erkan Nika nuk ishte midis anëtarëve të ekuipazhit të shpëtuar dhe vëllai i tij, Erizon Nika, ka bërë thirrje për ndihmë në mediat sociale.
Erizon Nika shkruan se familja po shqyrton edhe mundësinë që vëllai i tij të ishte në një spital në Rusi ose diku tjetër në kontinent, duke vijuar si më poshtë:
“Vëllai im nuk ishte midis ekuipazhit të shpëtuar. Aktualisht nuk kemi asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen apo shëndetin e tij. Në kaosin e sulmit, ai mund të jetë në një spital në Rusi ose diku në terren. Ne kërkojmë urgjentisht ndihmë nga kushdo që e pa, dëgjoi diçka ose kontaktoi autoritetet.”
Anija “Aroyat”, e dëmtuar rëndë gjatë sulmit, po tërhiqet drejt Turqisë me anë të rimorkiatorëve. Ndërsa është planifikuar një kërkim i plotë i anijes, familja ka kërkuar posaçërisht një inspektim të detajuar të dhomës së motorëve, zonave të banimit dhe pjesëve të mbyllura:
“Pritja dhe kërkesa jonë më e madhe është që së pari të kërkohet vëllai im; që dhoma e motorëve të anijes, zonat e banimit dhe të gjitha pjesët e mbyllura të kontrollohen me kujdes. Ne shpresojmë ta gjejmë vëllain tim gjallë deri në momentin e fundit.”
