Ministria e Ekonomisë njofton se është arrestuar zyrtari që kërcënoi me armë eprorin e tij
Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se në objektin e saj ka ndodhur një incident serioz, gjatë të cilit një zyrtar i Ministrisë ka kërcënuar me armë zjarri një koleg të tij, i cili është udhëheqësi i tij i drejtpërdrejtë. Sipas Ministrisë, i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës.
“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Ministria ka sqaruar se zyrtari i dyshuar është subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator, për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.
“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë”, thuhet më tej në reagim.
Sipas Ministrisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e çdo përgjegjësie eventuale disiplinore apo administrative.
“Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë”, theksohet në reagim.
Ministria ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë dhe se deri në pranimin e raportit nga këto organe nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit.
