Mijëra njerëz mblidhen në Tarragona për garën spektakolare të kullave njerëzore
Mijëra njerëz u mblodhën në Tarragona të Spanjës për të ndjekur një nga traditat më spektakolare të Katalonjës, ku ekipe të mëdha përballen për të ndërtuar kullën më të lartë njerëzore.
Gara Castells, e cila zhvillohet çdo dy vjet në një arenë të vjetër të demave, mbledh grupe nga e gjithë Katalonja. Gjatë fundjavës, disa ekipe arritën të ndërtonin kulla me tetë nivele njerëzore, ndërsa Marrecs de Salt fitoi garën e së shtunës në Tarraco Arena.
Ekipet mund të përfshijnë deri në 500 burra, gra dhe fëmijë, të cilët bashkëpunojnë për të ngritur struktura që mund të arrijnë deri në 10 nivele. Në edicionet e fundit, kullat më të larta kanë kaluar edhe 12 metra.
Fitues shpallet ekipi që ndërton kullën më të lartë dhe më të ndërlikuar, duke marrë parasysh edhe vështirësinë e saj, transmeton Telegrafi.
Kjo ishte hera e 30-të që zhvillohet gara që prej edicionit të parë në vitin 1932. Megjithatë, tradita e Castells është shumë më e vjetër dhe daton në fund të shekullit XVIII. Kullat njerëzore vazhdojnë të shfaqen edhe sot në sheshet dhe qytetet e Katalonjës, jashtë garave zyrtare.
Për të ndërtuar një Castell nevojiten të paktën gjashtë nivele, ndërsa çdo pjesë e kullës ka emërtimin e vet. Në majë qëndron personi që e përfundon strukturën, duke ngritur krahun për të sinjalizuar se kulla është kompletuar.
Një këngë e vitit 1867, Els Xiquets de Valls, e kompozuar nga Josep Anselm Clavé, i përshkruante forcën, ekuilibrin, guximin dhe gjykimin e mirë si përbërësit kryesorë për ndërtimin e një kulle të suksesshme.
Sipas Europeana-s, ekipet mund të kenë nga 100 deri në 1,000 anëtarë. Ato dallohen lehtësisht nga uniformat e tyre dhe zakonisht mbajnë emrin e vendit prej nga vijnë, si Xiquets de Valls, Marrecs de Salt dhe Castellers de Barcelona.
Përtej spektaklit, Castells mbetet një traditë që kërkon koordinim të jashtëzakonshëm mes pjesëmarrësve, pasi çdo nivel i kullës varet nga ekuilibri dhe qëndrueshmëria e atyre që ndodhen poshtë. /Telegrafi/
