Mexhiti takohet me Halil Kastratin, synojnë ndërtimin e shkollës për 200 fëmijë me nevoja të veçanta në Çair
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Kosovë ka takuar humanistin Halil Kastrati, me të cilin ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit për realizimin e një projekti të rëndësishëm në Çair.
Përmes një postimi, Mexhiti bëri të ditur se gjatë vizitës kanë qëndruar edhe në shtëpinë e të moshuarve, ku janë njohur nga afër me aktivitetin dhe punën e Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.
Në fokus të takimit me Kastratin ishte projekti për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta, “Idnina – E ardhmja”, e cila planifikohet të ndërtohet në Çair.
Sipas Mexhitit, objekti parashihet të ketë një sipërfaqe prej rreth 2.000 metrash katrorë, kapacitet për 200 fëmijë dhe një investim të vlerësuar në rreth 2 milionë euro.
Shkolla synon të ofrojë kushte të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim të fëmijëve, në përputhje me nevojat e tyre.
Mexhiti theksoi se gjatë takimit është diskutuar për bashkimin e përpjekjeve dhe përvojës së Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” me angazhimin e komunës, me qëllim që ky projekt të bëhet realitet dhe të ofrojë mbështetje konkrete për fëmijët dhe familjet e tyre.
