POLITIKATË FUNDIT

Mexhiti nga Bërvenica: VLEN-i qëndron pas Jakup Huseinit, ministrat dhe udhëheqësia në shërbim të komunës

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në tubimin përmbyllës në Bërvenicë, ka shprehur mbështetjen për kandidatin për kryetar komune, Jakup Huseini, duke e cilësuar atë si vlerë të shtuar për partinë.

Mexhiti theksoi se VLEN-i, në raste të caktuara, ka zgjedhur kandidatë duke vlerësuar përgatitjen profesionale, njohjen e problemeve lokale dhe aftësinë për t’u përballur me sfidat e komunës.

“Kur vlerësojmë se ka një djalë apo vajzë të shkolluar dhe të përgatitur, që e njeh komunën, atëherë VLEN nuk hamendet dhe i kandidon ata kandidatë. Rasti i Jakupit është i tillë. Nuk e kemi zgjedhur si militant partiak, por si djalë të shkolluar, magjistër i drejtësisë që e di si merr frymë komuna dhe i di hallet e çdo fshati”, deklaroi Mexhiti.

Ai përmendi edhe raste të tjera, si Struga dhe Haraçina, duke theksuar se VLEN-i synon të përzgjedhë kandidatë që i njohin nga afër nevojat e qytetarëve.

Mexhiti shtoi se qëllimi i partisë nuk është vetëm marrja e drejtimit të komunës, por edhe angazhimi i institucioneve dhe përfaqësuesve të tij në funksion të qytetarëve të Bërvenicës.

“Jakupi na duhet në krye të komunës që këta ministra, zëvendësministra dhe gjithë udhëheqësia e VLEN-it të jenë në shërbim të Jakupit, ndërsa ai në shërbim të Bërvenicës”, u shpreh Mexhiti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *