TË FUNDIT

Lama i përgjigjet ashpër Daçiqit për Prizrenin: Le të vijë sa jam gjallë, dua ta shoh si e ngul flamurin serb!

Gjenerali në pension i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lama, i është kundërpërgjigjur deklaratës së ministrit në largim të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se “herët a vonë, flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”.

I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Lama e sfidoi publikisht Daçiqin, duke shprehur dëshirën që ai të tentojë ta realizojë deklaratën e tij sa kohë që gjenerali shqiptar është gjallë.

“Tani unë do të doja që të nisej Daçiqi me ardhë në Prizren. Me që jemi në këtë situatë. Ai ka shumë qejf me ardhë me ngul flamurin në Prizren. Do të doja të nisej të vijë e ta ngulë atë flamur atje. Do të kisha shumë dëshirë, sa jam gjallë unë, të niset ai, veç ta shoh, ta shoh si do ta ngulë”, deklaroi Lama.

I pyetur nëse kjo ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj ministrit serb, gjenerali në pension u përgjigj: “Absolutisht po. Me garanci që nuk ndalen shqiptarët më pa shku në gjitha trojet e 1876-ës, nuk ndalen më. Veç le të niset”.

Gjatë intervistës, Lama foli edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar: “Mua më është mbushur mendja që pas 16 shtatorit të bëjmë kujdes me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Deklaratat e gjeneralit Lama vijnë pas retorikës së Daçiqit lidhur me Prizrenin, duke nxitur reagime për gjuhën nacionaliste dhe pretendimet ndaj territorit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *