Mes lotëve, Valon Berisha përshëndetet me Kosovën
Mesfushori Valon Berisha nuk ka arritur t’i mbajë lotët në ceremoninë përshëndetëse para ndeshjes me Austrinë.
FFK-ja i ka mbajtur ceremoninë përshëndetëse, një prej lojtarëve të parë që erdhën te Kosova kur u pranuam në UEFA dhe FIFA.
Berisha zhvilloi 52 paraqitje për fanellën e Kosovës si dhe realizoi katër gola në proces, duke e fituar epitetin si legjendë e Kosovës.
Postimi i plotë pa ndërhyrje i FFK-së:
“Faleminderit për gjithçka, Valon!
Një moment i veçantë dhe plot emocione sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Federata e Futbollit e Kosovës nderoi Valon Berishën për kontributin e tij të çmuar në fanellën dardane.
Pas 52 paraqitjeve dhe 4 golave për Kosovën, Valoni përmbyll një kapitull të rëndësishëm me Kombëtaren, duke lënë pas momente që do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së futbollit tonë.
Emri i tij është i lidhur veçanërisht me 5 shtatorin e vitit 2016, kur ndaj Finlandës shënoi nga penalltia golin e barazimit 1:1 – golin e parë të Kosovës në një ndeshje zyrtare në garat e FIFA-s dhe UEFA-s.
Në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin, emocionet dhe gjithçka që dha për ngjyrat dardane, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i dhuroi Valonit një fanellë simbolike, që përjetëson rrugëtimin e tij me Kombëtaren.
52 paraqitje. 4 gola. Një gol historik. Kujtime të paharrueshme.
Faleminderit për çdo emocion dhe për çdo moment me fanellën e Kosovës, Valon!
Emri yt mbetet në historinë e Kosovës”./Telegrafi/
