Mekuli: “Pyetje e thjeshtë, por e rëndë për gjashtë ‘bllokuesit’ e shkretë dhe frymën grenelliste në Kosovë”
Analisti Gëzim Mekuli ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe përkrahjen publike që ish-emisari amerikan Richard Grenell u ka dhënë gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
Mekuli, përmes një shkrimi, ka ngritur paralele mes mbështetjes së Grenellit për deputetët e LDK-së dhe aktivitetit të organizatës “Serbs for Trump” në SHBA.
Sipas tij, organizata në fjalë pritet të organizojë më 9 shtator në Dallas një aktivitet që ai e cilëson si “propagandistik kundër shqiptarëve dhe Kosovës”, ku ndër të ftuarit përmend edhe Richard Grenellin.
“Grenelli, i dekoruar nga Aleksandar Vuçiq me Urdhrin ‘Flamuri i Serbisë’, vazhdon të shfaqet në orbitën e politikës dhe lobimit serb në SHBA”, ka shkruar Mekuli.
Ai ka kritikuar edhe gjashtë deputetët e LDK-së, duke i akuzuar se po kontribuojnë në bllokimin institucional të vendit.
“Ndërkohë, në Kosovë, pardje, Grenell ka dhënë mbështetje publike për gjashtë deputetët e shkretë të LDK-së, të cilët hapur, e pa pikë marre, karakter e etikë, po e bllokojnë Kosovën dhe jetën e popullit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Mekuli e ka cilësuar këtë situatë si një “paradoks shqiptar”, duke thënë se ndërsa në Washington forcohet lobimi serb kundër Kosovës, në Prishtinë, sipas tij, “fryma grenelliste” gjen mbështetje te disa aktorë politikë.
“Kur Serbia lobon fuqishëm në Washington, çdo dobësim institucional i Kosovës i shërben pikërisht këtij lobimi antiKosovë”, ka shkruar Mekuli.
Në fund, analisti u ka drejtuar një pyetje gjashtë deputetëve të LDK-së, duke vënë në pikëpyetje efektet e qëndrimit të tyre politik.
“Kur Grenelli i dekoruar nga Vuçiqi ju mbështet juve, ndërsa lobimi serb forcohet në Washington edhe me Grenellin, a nuk duhet të pyesni veten se kujt po i shërbeni ju me bllokada?”, ka shkruar Mekuli.
Shkrimi i plotë:
Viti 1878/ Kundër pavarësisë së Kosovës Grenelli ftohet nga “Serbs for Trump” – ndërsa Kosova BLLOKOHET nga përkrahësit e Grenellit
Në një kohë kur Kosova (populli), po përballet me dhunë dhe BLLOKIM institucional, organizata “Serbs for Trump” në Washington po mobilizon komunitetin serbo-amerikan në SHBA, me aktivitete PROPAGANDISTIKE kundër shqiptarëve dhe Kosovës; aktivitet i paralajmëruar më 9 shtator në Dallas, pra edhe 5 ditë.
Në mesin e shumë të ftuarëve është edhe Richard Grenell; një emër i keqnjohur për Kosovën, por i mirënjohur për Serbinë.
Grenelli, i dekoruar nga Aleksandar Vuçiq me Urdhrin “Flamuri i Serbisë”, vazhdon të shfaqet në orbitën e politikës dhe lobimit serb në SHBA. Ndërkohë, në Kosovë, pardje, Grenell ka dhënë mbështetje publike për gjashtë deputetët e shkretë të LDK-së, të cilët hapur, e pa pikë marre, karakter e etikë, po e BLLOKOJNË Kosovën dhe jetën e popullit të Kosovës.
Të nderuar lexues,
Këtu qëndron paradoksi shqiptar: në Washington aktivizohet lobimi serb kundër Kosovës me Grenellin si mbështetës, ndërsa në Prishtinë fryma grenelliste gjen vend te ata njerëz që e mbajnë Kosovën peng.
LDK e shpartalluar, PDK e korruptuar dhe AAK e mitizuar, duhet të kuptojnë një send; se BLLOKIMI i institucioneve nuk është sall një lojë e brendshme partiake; kur Serbia, lobon fuqishëm në Washington, çdo dobësim institucional i Kosovës i shërben pikërisht këtij lobimi antiKosovë; i shërben idesë së Ratko Mlladiqit e Millosheviqit.
Pyetja për gjashtë BLLOKUESIT e shkretë dhe frymën grenelliste në Kosovë është e thjeshtë, por e rëndë: Kur Grenelli i dekoruar nga Vuçiqi ju mbështet juve, ndërsa lobimi serb forcohet në Washington edhe me Grenellin, a nuk duhet të pyesni veten se kujt po i shërbeni ju me BLLOKADA?
