Mbyllen përkohësisht dy rrugë në Klinë, Komuna njofton për devijimin e qarkullimit
Komuna e Klinës ka njoftuar se, për shkak të punimeve në kuadër të projektit “Rindërtimi i Sheshit”, do të bëhet mbyllja e përkohshme e disa segmenteve rrugore në qendër të qytetit.
Sipas njoftimit të komunës, nga 8 tetori 2026 do të mbyllet përkohësisht rruga “Abedin Rexha”, në segmentin nga Sheshi “Ndue Përlleshi” deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
Po ashtu, do të mbyllet edhe rruga “Leonard Palucaj”, përfshirë pjesën që lidhet me rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Mbyllja e këtyre segmenteve do të jetë në fuqi deri në përfundimin e punimeve dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për rikthimin e qarkullimit normal.
“Për rihapjen e rrugës, qytetarët do të njoftohen me kohë nga Komuna e Klinës”, thuhet në njoftim.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugët alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e vendosur në terren.
“Njëkohësisht, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, pasi këto punime janë në interes të përgjithshëm dhe synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët e Komunës së Klinës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
