Mbretëria e Bashkuar në krah të reformave në drejtësi: Shasivari dhe ambasadorja Sivagnanam me zotim për sundim më të fortë të ligjit
Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut thellojnë bashkëpunimin për transformimin e sistemit të drejtësisë. Kodi i ri Penal dhe Ligji për Procedurën Penale në fokus të takimit mes ministrit Jeton Shasivari dhe ambasadores së re britanike, Maya Sivagnanam. Reformat në drejtësi po marrin një dimension të ri përmes partneritetit me një nga demokracitë më të konsoliduara në botë. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi takim me ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar, Sh.T. Maya Sivagnanam, ku në fokus ishte intensifikimi i bashkëpunimit për forcimin e sundimit të ligjit dhe modernizimin e sistemit gjyqësor. Gjatë takimit, ministri Shasivari prezantoi agjendën reformuese të Ministrisë së Drejtësisë, duke vënë theks të veçantë te dy proceset kyçe: Kodi i ri Penal dhe Ligji për Procedurën Penale, për të cilat tashmë kanë nisur diskutimet profesionale. Këto dy akte ligjore synojnë të shënojnë një kthesë të rëndësishme në modernizimin e drejtësisë penale, forcimin e mekanizmave institucionalë dhe krijimin e një sistemi më efikas, më transparent dhe më të besueshëm për qytetarët. Shkëmbimi i përvojave me Mbretërinë e Bashkuar dhe mbështetja ekspertësh britanikë konsiderohen me rëndësi të veçantë për cilësinë e reformave dhe përafrimin e legjislacionit me standardet më të avancuara ndërkombëtare. Mesazhi i takimit është i qartë: drejtësia nuk ka nevojë vetëm për ndryshime në letër, por për reforma konkrete, institucione funksionale dhe sundim të ligjit pa përjashtim. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar që bashkëpunimin ndërkombëtar ta shndërrojë në rezultate konkrete, duke e vendosur modernizimin e sistemit të drejtësisë dhe sigurinë juridike në qendër të agjendës reformuese.
