Mbappe kërkon falje publike ndaj popullit kinez pas veprimit që shkaktoi reagime të mëdha
Kylian Mbappe ka kërkuar falje publike ndaj popullit kinez, pas reagimit të ashpër që shkaktoi një deklaratë e tij gjatë një interviste, në të cilën iu referua Mao Ce Dunit si diktator.
Ylli francez reagoi zyrtarisht, duke pranuar se komenti i tij ishte i pamenduar mirë dhe se tashmë e kupton se fjalët e tij kanë lënduar shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën.
“Gjatë një interviste të fundit, reagova ndaj një fotografie timen. Komenti im ishte i pamenduar mirë dhe tani e kuptoj se ai ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetet kineze në mbarë botën”.
“U kërkoj falje të gjithëve që janë shqetësuar nga fjalët e mia. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të madh për popullin kinez dhe historinë e tij. Më vjen sinqerisht keq”, deklaroi Mbappe.
https://t.co/MQBo9NCSy5 — Kylian Mbappé (@KMbappe) October 27, 2026
Reagimi i sulmuesit vjen në një kohë kur çështja ka shkaktuar polemika të mëdha në Kinë.
Sipas raportimeve të mediave kineze, përfshirë The Paper , transmetuesi shtetëror CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligës pas reagimeve negative ndaj deklaratës së futbollistit të Real Madridit.
Po ashtu, aplikacionet informative të CCTV-së nuk kanë më përmbajtje që lidhet me Mbappen.
Mao Ce Duni ishte revolucionari komunist që themeloi Republikën Popullore të Kinës në vitin 1949 dhe e udhëhoqi vendin deri në vdekjen e tij, më 1976.
Ai mbetet figurë historike tejet e rëndësishme, por edhe kontroverse, për shkak të politikave të tij dhe pasojave të rënda që ato patën në shoqërinë kineze./ Telegrafi /
