LIVE: Pas përgjigjes së Hamzës, Kurti del sërish me propozim të ri
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndërlidhjen e zgjedhjes së presidentit dhe ligjit për Gjykatën Speciale e ka bërë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Ai, në konferencë për media, pak orë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, theksoi se shkuarja në zgjedhje, ku ka rivalitet të madh, do të pamundësojë zbatimin e ligjit për Gjykatën Speciale, nëse miratohet i njëjti.
“Ndërlidhjen e zgjedhjes së presidentit me Projektligjin për Gjykatën Speciale nuk i kam ndërlidhur unë, por vetë zoti Hamza, më 25 shtator, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, duke thënë se tashmë janë rrethana të reja dhe do të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre për presidentin dhe do të përshtaten. Nuk jam unë ai që kam ndërlidhur këto.
Si të mos jenë të ndërlidhura kur, nëse ne, për shembull, e votojmë leximin e dytë, por s’kemi president, kush dëshiron ta zbatojë atë ligj kur hyjmë në fushatë? Me cilën qeveri dëshiron të zbatosh atë ligj? Qysh është e mundur të besosh se do ta votosh një ligj në lexim të dytë dhe nesër fillon fushata dhe të shpresosh në zbatimin e tij të plotë? Atëherë fillon rivaliteti i madh dhe i ashpër. A po dëshirojmë strategji kombëtare apo rivalitet elektoral? Në anën tjetër, edhe nëse votohet në lexim të dytë, siç po propozojmë ne, dhe zgjidhet Glauku apo Feridja. Edhe nëse Gjykata na hedh poshtë këtë Projektligj për Specialen për shkak se ka shkelje, jo vetëm të Rregullores së Kuvendit, ne prapë mund të votojmë, pasi e kemi presidentin dhe Kuvendin. Nëse nuk e zgjedhim presidentin, ne e humbim Kuvendin”, tha ai.
