TË FUNDIT

LIVE: Nxirret minatori i parë, 62 të tjerë mbeten të bllokuar në Trepçë – Kjo është gjendja e tyre

Mbi 60 minatorë kanë mbetur të ngujuar nën tokë në minierën e Stan Tërgut, në një thellësi që arrin deri në rreth 645 metra. Minatorët ndodhen në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, ndërsa ekipet përgjegjëse janë angazhuar për nxjerrjen e tyre përmes rrugëve emergjente.

Situata ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e punëtorëve, ndërsa vëmendja kryesore është përqendruar te operacioni për nxjerrjen e sigurt të të gjithë minatorëve.

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe ekipet e shpëtimit, duke vlerësuar se çdo minutë është e rëndësishme dhe se operacioni duhet të zhvillohet me koordinim dhe profesionalizëm maksimal.

Sipas informacioneve të deritanishme, minatorët po tentojnë të dalin përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet në terren po punojnë për krijimin e kushteve të sigurta për nxjerrjen e tyre.

Përveç shpëtimit të minatorëve, një tjetër çështje që pritet të jetë në fokus është zbardhja e shkaqeve që çuan në incident. IHDNj ka kërkuar nga Prokuroria kompetente nisjen e një hetimi të plotë dhe të pavarur për të përcaktuar nëse kanë funksionuar mekanizmat dhe pajisjet e sigurisë dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

Hetimi pritet të shqyrtojë edhe mundësinë e neglizhencës institucionale, problemeve teknike apo përgjegjësive individuale dhe institucionale. Në rast se konstatohen shkelje, përgjegjësit duhet të përballen me pasojat ligjore.

Incidenti ka rikthyer në vëmendje kushtet dhe rreziqet me të cilat përballen minatorët në Kosovë. Puna qindra metra nën tokë i ekspozon ata ndaj rreziqeve të shumta, duke e bërë sigurinë në punë një çështje të vazhdueshme dhe jo vetëm një temë që rikthehet në vëmendje pas incidenteve.

IHDNj thotë se këto probleme i ka evidentuar edhe më herët përmes hulumtimit “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, ku janë dokumentuar kushtet e vështira të punës dhe rreziqet profesionale me të cilat përballen minatorët.

Sipas gjetjeve të këtij hulumtimi, punëtorët në miniera përballen me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe faktorëve të tjerë që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe sigurinë e tyre.

Rasti në Stan Tërg pritet të rikthejë në diskutim edhe nevojën për kontroll më të rreptë të standardeve të sigurisë, mirëmbajtjen e pajisjeve dhe infrastrukturës, si dhe funksionimin e rrugëve dhe procedurave emergjente.

Pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, IHDNj kërkon një vlerësim të plotë të gjendjes së minierës, pajisjeve dhe procedurave të sigurisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e incidentit dhe të merren masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Në këtë fazë, prioritet mbetet nxjerrja e sigurt e 64 minatorëve nga nëntoka. Më pas, hetimi pritet të përcaktojë se çfarë e shkaktoi incidentin dhe nëse dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *