LIVE: Fillon seanca e jashtëzakonshme në Kuvend
Kuvendi i Kosovës pritet të nisë së shpejti seancën në të cilën do të trajtohen dy prej çështjeve më të rëndësishme politike të ditës – zgjedhja e presidentes së re të vendit dhe miratimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas zhvillimeve të shumta gjatë ditës, Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar propozimin për Justina Shiroka-Pulën si kandidate për presidente, duke krijuar mundësinë që procesi për zgjedhjen e presidentes të zhvillohet në Kuvend.
Kryeministri Albin Kurti kishte propozuar që në të njëjtën seancë fillimisht të votohej projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen dhe më pas të votohej për presidenten Shiroka-Pula.
Ndërkohë, një ditë më parë Kuvendi e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me 91 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
