POLITIKATË FUNDIT

LDK reagon ashpër ndaj Presidentes Shiroka-Pula: E papranueshme largimi i fotografisë së Rugovës nga Presidenca

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë, të vendosura përkatësisht nga Presidentja Osmani dhe Presidenti Sejdiu.

Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai. Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm.

Presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Nderimi i tyre në institucionin e Presidencës është shprehje e respektit ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës.

Largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional. Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president dhe duhet të pasqyrohet edhe në mënyrën se si paraqitet shteti në hapësirat e tij zyrtare, para qytetarëve dhe përfaqësuesve të huaj. LDK-ja kërkon rishikimin e këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë. Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *