Largimi i Esther Friedli nga gara për Këshillin Federal, sjell në lojë një kandidate të re
Esther Friedli, e cila konsiderohej një nga kandidatet kryesore për ta pasuar Guy Parmelinin në Këshillin Federal të Zvicrës, ka vendosur të mos hyjë në garë. Megjithatë, tërheqja e saj ka hapur diskutime për emrat e mundshëm brenda Partisë Popullore Zvicerane (SVP), ndërsa vëmendje të veçantë ka marrë fakti se ajo nuk e përmendi politikanen Nathalie Rickli, e cila po shqyrton mundësinë e kandidimit.
Friedli do të vazhdojë të përfaqësojë kantonin e St. Gallenit në Këshillin e Shteteve. Në një intervistë për emisionin “SonnTalk” të TeleZüri, ajo shpjegoi se ende ka shumë punë për të bërë në këtë institucion, ku është në detyrë prej vetëm tre vjetësh e gjysmë.
Ajo përmendi edhe angazhimet e saj si sipërmarrëse. Së bashku me bashkëshortin e saj, Toni Brunner, gjatë dhjetë viteve të fundit ka ndërtuar biznesin “Shtëpia e Lirisë”, ku janë të punësuar 20 persona, raporton Aargaur Zeitung .
“ A duhet t’u them 20 punonjësve tanë se do të largohemi të gjithë në fund të vitit?”, pyeti Friedli, duke theksuar se liria personale është e rëndësishme për të dhe se nuk është e gatshme ta përmbysë jetën e saj.
Pavarësisht vendimit për t’u tërhequr, Friedli e pranon se largimi i saj nga gara do të ndikojë në përzgjedhjen e kandidatëve të mundshëm.
E pyetur për Pascal Schmidin, këshilltar kombëtar nga Thurgau dhe specialist për çështjet e azilit, ajo tha se ai i ka të gjitha cilësitë e nevojshme, transmeton Telegrafi. Schmid konsiderohet gjithashtu kandidati i preferuar i ish-këshilltarit federal Christoph Blocher.
Megjithatë , Friedli vlerësoi se SVP-ja ka edhe figura të tjera të përshtatshme. Ajo përmendi këshilltarët e qeverive kantonale të partisë dhe veçoi Franz Ruppenin, këshilltar shtetëror të Valaisit.
Ruppen nuk është i panjohur në politikën federale, pasi ka qenë këshilltar kombëtar nga viti 2015 deri në vitin 2021.
Një nga pikat që ra në sy në deklaratat e Friedlit ishte mungesa e emrit të Nathalie Ricklit, këshilltare kantonale e Cyrihut, e cila po shqyrton mundësinë e kandidimit për Këshillin Federal.
Për Ricklin foli këshilltarja kombëtare e Partisë së Qendrës, Nicole Barandun. Ajo tha se do ta mirëpriste përfaqësimin e kantonit të Cyrihut në Këshillin Federal, duke pasur parasysh rëndësinë e tij si qendër e kërkimit shkencor dhe e biznesit.
Barandun përmendi gjithashtu rastin e Martin Pfisterit, duke theksuar se zgjedhja e një këshilltari kantonal mund të jetë një vlerë e shtuar për Këshillin Federal.
Gjatë diskutimit u ngrit edhe mundësia që Martin Pfister të ndryshojë departament, siç raportoi emisioni “Schweiz heute”.
Barandun tha se nuk kishte dëgjuar për një zhvillim të tillë. Edhe pse pranoi se Departamenti i Mbrojtjes përballet me probleme, ajo theksoi se Pfisteri nuk u shmanget sfidave.
“Do të isha shumë e befasuar nëse ai do të largohej vullnetarisht nga Departamenti i Mbrojtjes”, deklaroi ajo, duke shprehur shpresën që Pfisteri të qëndrojë në këtë detyrë.
Me largimin e Guy Parmelinit, Departamenti i Çështjeve Ekonomike do të mbetet vakant. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Beat Jans, raportohet se po shqyrton mundësinë e një ndryshimi të departamentit.
Friedli deklaroi se SVP-ja do ta merrte me kënaqësi Departamentin e Drejtësisë. Sipas saj, parlamenti i ka përcjellë Këshillit Federal më shumë se 40 mocione që synojnë shtrëngimin e politikës së azilit, çka, sipas saj, dëshmon nevojën për një ministër të ri të Drejtësisë.
Megjithatë , politikani i Partisë Socialdemokrate (SP) nga Cyrihu, Fabian Molina, shprehu dyshime nëse SVP-ja dëshiron vërtet ta marrë këtë departament. Sipas tij, partia ka pasur disa mundësi për ta bërë këtë gjatë viteve të fundit.
Në të njëjtën kohë, Molina vlerësoi se Beat Jans do të ishte një ministër i shkëlqyer i Çështjeve Ekonomike.
Politikanët e SVP-së mund t’i paraqesin kandidaturat e tyre deri më 23 tetor. Grupi parlamentar i partisë do ta zgjedhë kandidatin më 20 nëntor.
Zgjedhja e pasuesit të Guy Parmelinit do të zhvillohet në Parlamentin Federal më 9 dhjetor. Deri tani, nuk është shpallur asnjë kandidaturë zyrtare. /Telegrafi/
