Lajmi më i bujshëm për Kombëtaren, konfirmohen prapaskenat e vitit
Tashmë është zyrtare. Federata Shqiptare e Futbollit, po punon që portieri Elia Kaprile të veshë fanellën e Kombëtares. Në Itali ishin të sigurt që diçka e tillë nuk mund të ndodhë, por dëshira e FSHF dhe portierit të Kaljarit ka hapur një çështje të re.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, konfirmoi prapaskenat për portierin italian. Pajisja me pasaportë shqiptare ishte pikërisht për të provuar kalimin nga Italia te Shqipëria.
“Ka diçka të vërtetë. Tashmë Kaprile është pajisur me pasaportë shqiptare, me objektivin për të qenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar. Kjo është procedurë, e cila duhet të ndiqet nga ne. Nëse do më pyesni, nga kualiteti sportiv besoj se ka shumë kualitet për ta ndihmuar Kombëtaren shqiptare.Është moshë relativisht e re, nëse llogarisim edhe për sa vite luajnë portierët. Nuk është një rrufe në qiell të hapur. Ka një lloj lidhje me Shqipërinë. Nuk është se e ka marrë këtë pasaportë kot.
Të shohim në vazhdim. Nëse do e kemi në ekipin kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar. Nuk është një gjë që mund të ndodhë sot”, u shpreh presidenti Duka për “Klan News”.
“E PAMUNDUR”- Në Itali ishin të sigurt në tetor, që kalimi i portierit italian te Shqipëria ishte i pamundur. “DAZN” i kushtoi një artiull duke treguar se lidhja me partneren shqiptare nuk mjafton. Emili Toshkollari i hapi rrugë pajisjes me pasaportë shqiptare, ndërsa tashmë duhet të plotësohen kritere të tjera në FIFA.
Rregullat e FIFA-s kërkojnë që pas pasaportës, të ketë edhe një lidhje të caktuar me vendin, përmes lindjes, prejardhjes familjare ose qëndrimit të nevojshëm. Kritere që aktualisht nuk përmbushen.
