TË FUNDIT

Lajçi thumbon PDK-në e AAK-në pas aksionit para Qeverisë: Teatri i kukullave me silikon

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi ka ironizuar aksionin e fundit të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një “teatër kukullash me silikon”.

Në një shkrim me tone satirike, Lajçi e përshkruan skenën para Qeverisë si një “godinë të qelqtë” ku, sipas tij, “aktorë diletantë” shfaqen të veshur me marka dhe me fytyra “të ngrira në silikon”.

Ai ironizon deputetët opozitarë për pjesëmarrjen në aksion, duke shkruar se ata shkuan “truma-truma” te godina e Qeverisë dhe se kishin merak të dinin për shëndetin e “regjizorit”.

“Pse i tallin? Pse i shajnë? Shih sa t’kujdesshëm deputetët aktorë! Vijnë me rrezet e para me pyetë për shëndetin e shefit të tyne”, shkruan Lajçi.

Ai kritikon gjithashtu mungesën e një mesazhi konkret nga aksioni, duke ironizuar se deputetët mbetën pa fjalë pasi, sipas tij, “sufleri e ka harrue skenarin n’zyrën e shefit të partisë”.

Lajçi përmend edhe mungesën e mbështetësve të tjerë në këtë aksion, duke shkruar se “as biznesmenët, as pionerët e partisë” nuk u dolën në ndihmë.

Në fund, ai e quan gjithë skenën “Teatri i kukullave me silikon” dhe me ironi i drejtohet Sami Lushtakut, duke sugjeruar që nëse dëshiron t’i dekorojë “artistët diletantë”, t’u japë pikërisht këtë titull.

“Unë, për vete, u knaqa me Teatrin e kukullave me silikon. Bile due me i thanë Samiut: nëse don me i dekorue artistët diletantë, dekorojini me këtë titull, se fort po ju shkon për shtati”, përfundon Lajçi.

Shkrimi i plotë:

Teatri i kukullave me silikon

Nji godinë e qelqtë!

Mbi tokë, por përfundi qiellit.

Teatër xhamash; — axhamishë, do t’thosha!

Aktorë diletantë, por t’veshun firmato. Madje t’ngrirë n’silikon, që muskujt e fytyrës mos t’u lëvizin fare; as kur gëzohen, as kur idhnohen.

T’përpikët me kohën.

Ma herët se regjizori, jo ma vonë se sufleri.

Shkojnë truma-truma te godina që ua ka mbyllë koshat e taxhisë. Kanë merak me dijtë si asht me shëndet regjizori. Mos i ka ba keq noti n’Malishevë? Si asht me disponim?

Vetëm për kaq shkojnë te dera me xhama, të urtë e të butë, e pyesin rojën për Shefin:

— Mirë asht. Mos u bani merak! — u përgjigjet roja me fytyrën e vrantë. — Edhe gjumin e ka ba mirë mbramë. Bile më porositi me ju thanë: mos rrini para dyerve, se trulloheni prej diellit; uluni n’hijet e pemëve e luejni cic-mic. Unë jam mirë me shëndet e me vullnet e po punoj me zell e takat.

Kështu foli roja i pallatit të Qeverisë, me Gonën veshun si Kësulëkuqja, krejt në të kuqe!

E unë thashë:

— Pse i tallin? Pse i shajnë? Shih sa t’kujdesshëm deputetët aktorë! Vijnë me rrezet e para me pyetë për shëndetin e shefit të tyne, e rrinë aty tue mos dijtë çka me folë, se sufleri e ka harrue skenarin n’zyrën e shefit të partisë.

Jo, sot nuk iu erdhën n’ndihmë as biznesmenët, as pionerët e partisë. Siduket e morën vesh se prej përrallave e lojës cic-mic nuk bahet shtet, e aq ma pak pushtet!

Unë, për vete, u knaqa me Teatrin e kukullave me silikon. Bile due me i thanë Samiut: nëse don me i dekorue artistët diletantë, dekorojini me këtë titull, se fort po ju shkon për shtati.

Nejse…

Tash po ia cingëroj telat sharkisë e po e hapi kuferin me libra, se lisi, në trupin e të cilit jam mbështetë, po m’i hudhë mbi krye gjethet e thata e po m’thotë:

— Fol me libra, jo me kukullat e mbushuna me silikon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *