Kurti pranon urime nga Gjermania, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letra urimi me rastin e formimit të Qeverisë së re dhe rizgjedhjes së tij në detyrën e kryeministrit nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, si dhe nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, në letrën e tij, ka përcjellë urimet për rizgjedhjen e Kurtit, duke theksuar marrëdhëniet e afërta ndërmjet dy vendeve.
“Gjermania e vlerëson shumë Kosovën si një partner të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin, reformat dhe një të ardhme evropiane për rajonin”, thuhet në letrën e Rudolph.
Ai ka theksuar se përkushtimi i Kosovës ndaj integrimit në Bashkimin Evropian është një shtyllë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa ka bërë të ditur se politika e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor mbetet e fokusuar në zgjerimin e BE-së.
Në letrën drejtuar Kurtit, ambasadori gjerman i është referuar edhe dialogut Kosovë–Serbi, duke e cilësuar atë si thelbësor për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
“Shpresoj që ju dhe qeveria juaj do të angazhoheni për rifillimin e shpejtë të tij dhe do të punoni drejt marrëveshjeve praktike, reciprokisht respektuese dhe të qëndrueshme”, ka shkruar Rudolph.
Urime për mandatin e ri Kurtit i ka përcjellë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Në letrën e tij, Mickoski ka uruar Kurtin për rizgjedhjen dhe ka shprehur besimin se dy vendet do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin.
“Interesat tona të përbashkëta në fushën e ekonomisë, ndërlidhjes infrastrukturore, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal krijojnë mundësi të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka uruar Kurtin për “formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës dhe rizgjedhjen tuaj në detyrën e Kryeministrit”.
Spajiq ka theksuar se Kosova dhe Mali i Zi kanë “marrëdhënie të mira dhe miqësore”, duke shprehur besimin se ato do të avancohen përmes bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe ndërlidhjes ekonomike.
“Jam i bindur se Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen tuaj, do të japë një kontribut të veçantë në këtë drejtim, si dhe do të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt përparimit të mëtejshëm në rrugën e integrimit dhe arritjes së objektivave strategjike evropiane”, ka shkruar kryeministri malazez.
